Arrestohet një afgan në lidhje me vrasjen e katër myslimanëve në Nju Meksiko

11:16 | 11 Gusht 2022
arbresh.info

Myslimanët në Nju Meksiko të intervistuar të mërkurën thanë se ndjenin tronditje dhe turp nga arrestimi i një emigranti mysliman nga Afganistani në lidhje me vrasjen e katër burrave myslimanë.

Policia tha të martën se ka arrestuar 51-vjeçarin Muhammad Syed. Motivi i vrasjeve mbetet i paqartë, por policia tha se ai mund të ketë vepruar për mëri personale, ndoshta me ngjyrime sektare ndër-muslimane.

Syed mohoi të ishte i përfshirë në ndonjë nga katër vrasjet kur u mor në pyetje nga policia, sipas New York Times, transmeton arbresh.info.

“Ne jemi në mosbesim të plotë. Pa fjalë. E dini, disi e turpëruar të them se ai ishte njëri prej nesh,” tha Mula Akbar, një biznesmen afgano-amerikan që tha se kishte ndihmuar Syed të vendosej në qytet.

“Urrejtja e tij ndaj shiitëve mund të ketë pasur të bëjë me të,” tha Akbar.

Syed ishte nga dega sunite e Islamit dhe u lut së bashku në xhaminë e Qendrës Islamike të Albuquerque në New Mexico (ICNM) me shumicën e viktimave, tre prej të cilëve ishin nga dega shiite e Islamit. Të katër viktimat ishin me origjinë afgane ose pakistaneze. Njëri u vra në nëntor, tre të tjerët në dy javët e fundit.

Syed, i cili u paraqit për herë të parë në gjykatë të mërkurën, u akuzua zyrtarisht për vrasjen e Aftab Hussein, 41 vjeç, më 26 korrik dhe Muhammed Afzaal Hussain, 27, më 1 gusht./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme