Google ADS

Kina refuzon të përjashtojë përdorimin e forcës për ribashkim me Tajvanin

22:37 | 10 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Kina refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës për të bashkuar Tajvanin me pjesën tjetër të vendit, duke akuzuar “forcat e jashtme” për inkurajimin dhe nxitjen e veprimeve provokuese nga forcat separatiste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, Pekini vuri në dukje se ribashkimi paqësor dhe “një vend, dy sisteme janë parimet tona bazë për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit dhe qasja më e mirë për realizimin e ribashkimit kombëtar”.

“Ne do të punojmë me sinqeritetin më të madh dhe do të bëjmë përpjekjet tona maksimale për të arritur ribashkimin paqësor. Por ne nuk do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe ne ruajmë mundësinë për të marrë të gjitha masat e nevojshme”, thuhet në letrën e publikuar nga Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit.

“Kjo është për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme dhe të gjitha aktivitetet separatiste. Në asnjë mënyrë nuk synon kinezët në Tajvan. Përdorimi i forcës do të ishte zgjidhja e fundit e ndërmarrë në rrethana bindëse”, thuhet në njoftim.

Pekini e sheh ribashkimin paqësor nën parimin një vend-dy sisteme si një gjë që, siç theksohet, “do të hedhë themele të reja për Kinën për të bërë përparim të mëtejshëm dhe për të arritur ripërtëritjen kombëtare”.

“Në të njëjtën kohë, kjo do të krijojë mundësi të mëdha për zhvillimin social dhe ekonomik në Tajvan dhe do të sjellë përfitime të prekshme për popullin e Tajvanit”, thuhet në letër.

Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit tha se Pekini është “gati të krijojë hapësirë të madhe për ribashkim paqësor, por ne nuk do të lëmë hapësirë për aktivitete separatiste në asnjë formë”.

Ky theksim i fundit i politikës kineze për një Kinë vjen pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin e vetëqeverisur javën e kaluar.

Pelosi vizitoi Tajvanin pavarësisht paralajmërimeve të Pekinit se ishulli është një “provincë e shkëputur” dhe se vizita e saj do të ishte në kundërshtim me “politikën e një Kine” të SHBA-së.

Menjëherë pasi ajo u largua nga Taipei më 3 gusht, Pekini nisi stërvitjet masive ushtarake të enjten e kaluar, të cilat ishin planifikuar të përfundonin të dielën.

Gjatë stërvitjes gjithashtu u lëshuan raketa balistike rreth Tajvanit, disa prej të cilave ranë në ujërat e pretenduara nga Japonia si zona e saj ekskluzive ekonomike.

Në njoftimin e autoriteteve kineze përsëritet se Tajvani “i përkiste Kinës që nga kohërat e lashta. Kjo deklaratë ka një bazë të shëndoshë në histori dhe jurisprudencë”.

Duke iu referuar Rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në njoftim thuhet se “kjo është një dokument politik që përmbledh parimin e një Kine, autoriteti ligjor i të cilit nuk lë vend për dyshime dhe është pranuar në mbarë botën”.

“Ne jemi një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Ky është një fakt i padiskutueshëm i mbështetur nga historia dhe ligji. Tajvani nuk ka qenë kurrë një shtet, statusi i tij si pjesë e Kinës është i pandryshueshëm”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se “ribashkimi paqësor është i dobishëm jo vetëm për kombin kinez, por për të gjithë popujt dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi”.

“Përdorimi i Tajvanit për të kontrolluar Kinën është i dënuar të dështojë. Rrota e historisë rrotullohet drejt ribashkimit kombëtar dhe nuk do të ndalet nga asnjë individ apo asnjë forcë”, pohoi Pekini zyrtar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme