Jam i lumtur që në mandatin tonë, pas 10 vjet bllokimi, Kuvendi po bëhet me Rregullore të re shumë më të avansuar. Më 28 korrik u votua me 81 vota PËR, andaj sot ajo hyn në fuqi meqë publikohet në Gazetën Zyrtare.
Shkruan: Albin Kurti
Miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë. Procesi i rishikimit të Rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur.
Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një koncensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Për nga mënyra e votimit, Rregullorja e Kuvendit hyn në kategorinë e akteve më të rëndësishme të shtetit që miratohen nga Kuvendi, siç janë Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo ishte një përpjekje pothuajse 10 vjeçare, për të cilin punuan shumë deputetë, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për disa legjislatura me radhë.
Rregullorja e re adreson sfidat kryesore, të cilat e kanë përcjellë punën e Kuvendit që nga viti 2010, dhe ngërthen në vete praktika të reja dhe standarde të larta të demokracisë parlamentare. Nga adresimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me konstituimin dhe punën e Kuvendit, rritjen e efikasitetit të Kuvendit e trupave të tij, avancimin e mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare, forcimin e rolit të komisioneve parlamentare në mbikëqyrje, shqyrtimin e projektligjeve e miratimin e tyre, organizimin dhe funksionimin e grupeve vullnetare, përmirësimin e dukshëm të transparencës dhe llogaridhënies parlamentare, konsultime cilësore përmes dëgjimeve publike duke u kujdesur për një përfshirje sa më të gjerë të kategorive shoqërore në procesin e ligjbërjes, funksionimin e Kuvendit në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes emergjente, si edhe shumë çështje tjera që ndërlidhen me punën e Kuvendit.
Dy kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë penguar përfundimin e këtij procesi më parë: jostabiliteti institucional dhe mungesa e vullnetit politik të subjekteve politike në Kuvend. Kjo situatë për disa vite me radhë është vlerësuar një nga pikat e dobëta të Kuvendit nga raportet e BE-së për vendin dhe në vazhdimësi kërkohej që Kuvendi duhet të lëvizë në këtë drejtim. Në këtë mandat kishim edhe stabilitetin e nevojshëm institucional edhe vullnetin politik për të mundësuar miratimin e Rregullores. Miratimi i aktit më të rëndësishëm të vet Kuvendit, mundëson përmirësimin e punës së Kuvendit dhe avancimin më tutje të parimeve dhe standardeve demokratike të parlamentarizmit.
Është përkushtim i yni politik që në Kuvendin e Republikës, publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik.
Rikthehet procedura e lehtësuar në Morinë për fundjavat dhe ...
Haradinaj në Pejë: Anëtarësimi direkt në NATO, shtysë për zh...
Aksident mes një kamioni dhe një veture në dalje të autostra...
Guardiola konfirmon lëndimet e dy yjeve të Man Cityt – thotë...
Ditë zie në Serbi, flamujt serbë ulen në gjysmështizë edhe n...
Haxhiu në Tiranë takohet me ish-ministren Gjonaj, diskutohet...