Çfarë do të diskutohet në takimin e 18 gushtit ndërmjet Kurtit e Vuçiqit?

14:14 | 8 Gusht 2022
arbresh.info

Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Një pjesë e tyre aktivizohen publikisht në festa si puna e 28 qershorit, kur shënohet Beteja e Kosovës nga viti 1389. Pastaj në festat fetare ata janë shumë aktivë dhe bëjnë veprimtari, ose atëherë kur ka konflikte ose tensione të ndryshme, sepse konflikti për ta është liri. Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta. Por, janë organizata të cilat nuk ka nevojë as t’i bëj të famshme duke ua përmendur emrat princave nga mesjeta”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

“Ne nuk kemi një njoftim zyrtar mbi agjendën. Por, ajo çfarë kemi shkëmbyer gjatë komunikimit me Josep Borrellin, që është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, është se duhet ta synojmë dialogun për marrëveshje – jo dialogun për dialog, por dialogun për marrëveshje – që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe përveç kësaj një marrëveshje, e cila e bën normalizimin e plotë, duke e pasur në qendër njohjen reciproke. Në këtë kuptim, unë jam i interesuar që më 18 gusht të diskutojmë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duam ta arrijmë me dialog”, deklaroi Kurti.

Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

“Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia meqënëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”, deklaroi Kurti.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme