23 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, aktualisht katër janë ende aktive

18:05 | 7 Gusht 2022
E.H

Katër vatra janë aktualisht aktive në Shqipëri, ndërsa gjatë 24 orëve të fundi janë raportuar 23.

Vatrat aktive janë në bashkinë Klos, në Durrës, Kurbin dhe Shkodër.

Në Klos, në vendin e quajtur Skarreth Ekonomia pyjore Linos-Guri i Bardhë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu.

Gjatë ditës së djeshme është bërë ndërhyrja me forca zjarrfikëse për të kontrolluar dhe izoluar vatrën, ndërsa vijon puna për shuarjen e zjarrit.

Në bashkinë Durrës, në fshatin Shetaj operacioni vijon për shuarjen e flakëve.

Në Kurbin, në fshatin Mal Bardhë, zjarri është me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shqopë, shkozë dhe dëllinjë, në zonën e quajtur “Maja e Sukës”, ndërsa vatra po mbahet në monitorim.

Ndërsa në Shkodër, në vendin e quajtur Bjeshka e Bregut, zjarri ka rënë rreth orës 23.00 datë 6.8.2022 dhe deri sot rreth ores 04 të mëngjesit ka qenë shumë problematik, janë rrezikuar banesa verore, stane, bagëti, bletë etj.

Është ndërhyrë nga banorët e zonës, punonjës të shërbimit pyjor dhe forcat zjarrfikëse. Situata është normalizuar, dhe nuk ka pasur dëme. Operacioni vijon me mbështetjen dhe të 60 efektivëve të FA.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar vatrat në:

në fshatrat, Ndërlysaj dhe Ura e Shtrenjtë, bashkia Shkodër;
në fshatin, Gruemirë ku ka pasur 2 vatra zjarri dhe në fshatrat Dobër dhe Koplik i Sipërm, bashkia Malësi e Madhe;
në fshatin Bushat, bashkia Vau-Dejës;
në fshatin German, bashkia Mat;
në zonën e Krastës dhe fshatin Zezë bashkia Krujë;
në fshatrat Bulshar dhe Valçe, bashkia Mirditë;
në fshatin Cericë dhe në vendin e quajtur “Bigas”, bashkia Skrapar;
në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë;
në fshatin Ndërmjetës, bashkia Vorë;
në zonën e Gosës, bashkia Rrogozhinë;
në fshatin Kastriot, bashkia Dibër.
në fshatin Pogon, bashkia Dropull./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme