Senati amerikan votoi të shtunën për të nisur debatin mbi propozimin ekonomik të demokratëve në prag të zgjedhjeve të pjesshme për Kongresin amerikan në muajin nëntor.
Përparësitë e Presidentit Biden për klimën, energjinë, shëndetin dhe taksat po vihen në provë para Kongresit në këtë vit të rëndësishëm zgjedhor.
Senati po shqyrton këtë fundjavë një propozim që cilësohet si projektligji për uljen e inflacionit, i cili ofron investimin e vetëm më të madh në sektorin e energjisë së pastër në historinë e vendit.
Nëse miratohet, ligji në fjalë trajton uljen e çmimit të ilaçeve, dhe përcakton jo më shumë se dy mijë dollarë shpenzime mjekësore në vit nga xhepi i të moshuarve.
Taksa minimale që do të paguajnë korporatat do të jetë 15%.
Por asnjë nga ligjvënësit republikanë nuk e mbështet projektligjin në Senatin e ndarë 50 me 50, ku vota e Nënpresidentes Kamala Harris prish ekuilibrin në favor të demokratëve.
“Është absolutisht e domosdoshme që t’i tregojmë popullit amerikan se jemi në gjendje të përfaqësojmë nevojat e njerëzve të zakonshëm”, tha Senatori i Vermontit Bernie Sanders.
Qasja ndaj ligjit është e ndarë sipas vijave partiake.
“Do të sjellë mjerim mbi mjerimin, do të rrisë taksat e karburantit në një kohë që amerikanët nuk mund ta përballojnë çmimin”, tha Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut.
Me ndihmën e votës së Nënpresidentes Kamala Harris, demokratët votuan 51-50 mbrëmjen e së shtunës, çka i hapi rrugë fillimit të debatit mbi projektligjin në Senat.
Pas katër orë debati, Senati fillon një proces të gjatë votimesh për dhjetëra amendamente që përfshihen në të, para se të kalojë në votimin përfundimtar.
Demokratët kanë nevojë për 51 vota për miratimin e ligjit. Asnjë nga republikanët nuk ka shprehur mbështetje.
Ndërsa afrohen zgjedhjet e pjesshme të nëntorit, demokratët po shpresojnë që ta dërgojnë sa më shpejt ligjin në Shtëpinë e Bardhë për miratim nga Presidenti Biden./voa/
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin
Vendimi i Biden për raketat/ Kremlini: SHBA po i hedh benzin...
Rama prezanton bonusin e pensionistëve, pas protestës së opo...