Kërcënimi i Vuçiqit me luftë dhe përshkallëzimi i situatës së tensionuar në Veri e çoi në Parlamentin e Ukrainës një draft-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, Ukraina, përmes një ambasadori të saj, e shprehu dje qëndrimin zyrtar për këtë çështje.
Tensionimi i situatës në veri të Kosovës para një jave e shpalli rrezikun real që Ballkani të tërhiqet në vorbullën e luftës në Ukrainë. Krismat e kallashnikovëve afër Jarinjës dhe Bërnjakut jehuan deri në vendin ku Rusia po pushton dhe shtyp me ushtrinë e saj.
Në Parlamentin e Ukrainës së fundmi u dorëzua një projekt-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo u iniciua nga deputeti Oleksiy Goncharenko, i cili reagoi me shqetësim kur të dielën e kaluar pati të shtëna në veri të Kosovës dhe ishin vendosur barrikada afër të cilave qëndronin persona të maskuar e të armatosur.
“Nëse Serbia e pushton Kosovën, ne duhet t’i mbrojmë kosovarët. Ukraina është gati të veprojë me trupat tona në terren. Serbia po përpiqet të nisë një luftë agresive. Pikërisht sipas metodës së Putinit. Siç thashë, Serbia është kali i Trojës i Putinit në Europë. Lufta kudo në botë është e tmerrshme”, ka shkruar Goncharenko.
Ai alarmoi se Kosova po vinte në realitetin ku Ukraina jeton tash e 5 muaj.
“Ne e dimë se si është të jetosh kështu. Ne donim që bota t’i ndalonte luftërat, jo t’i fillonte ato. Bota më në fund duhet të kuptojë se Rusia, Putini dhe të gjithë “aleatët” e tyre janë shkaku i konflikteve dhe luftërave”, shkroi Goncharenko atë natë.
Dje, Goncharenko njoftoi se e ka dorëzuar një draft-rezolutë në parlamentin ukrainas ku bëhet thirrje që të njihet pavarësia e Kosovës.
I submitted to the Ukrainian Parliament a bill recognizing the independence of #Kosovo. Ukraine shares Western values and will support democracy anywhere in the world. I hope Ukraine will recognize #Kosovo‘s independence ASAP. pic.twitter.com/j9UpJL7OfY
— Oleksiy Goncharenko (@GoncharenkoUa) August 6, 2022
“Dorëzova në Parlamentin ukrainas një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do ta përkrahë demokracinë kudo në botë. Shpresoj që Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur”, ka shkruar ai.
Deputeti Goncharenko shkroi edhe në Facebook për këtë, duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës s’e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se shteti njihet nga 22 vende të BE-së si dhe nga ShBA-ja, Britania e Madhe e Kanadaja.
Pas kësaj, Oleksiy Goncharenko tregoi se u kërcënua në rrjetet sociale.
“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai në “Euronews Albania”.
Për disponimin në Ukrainë lidhur me këtë çështje, Goncharenko foli pozitivisht.
“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, ka nënvizuar deputeti.
Kosova ndoshta mund të llogaris të paktën edhe në mbështetjen e deputetes ukrainase, Inna Sovsun për këtë rezolutë. Ajo kishte reaguar po ashtu në natën kritike.
“Të shtënat në kufirin e Serbinë me Kosovën janë një përshkallëzim i konfliktit të vjetër. Dëshira e madhe e Serbisë për ta kapur Kosovën me forcë është një imitim i dëshirës së Rusisë për ta kapur Ukrainën. Unë qëndroj me Kosovën. Presidente Vjosa Osmani, Ukraina ju mbështet”, ka shkruar ajo.
Por të shtunën nga mbrëmja, ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tregoi qëndrimin zyrtar të Kyivit për këtë çështje. Tolkach tha se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për ndihmën që i ka dhënë, por shtoi se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.
“Ne kemi qenë gjithmonë të qëndrueshëm në politikën e jashtme dhe gjithmonë kemi mbështetur çdo vend brenda kufijve që njihen ndërkombëtarisht”, tha Tolkach. “Nga ana tjetër, Ukraina së bashku me vendet e tjera evropiane u përpoqën të ndalonin luftërat e përgjakshme në Ballkan, siç ishte ajo e vitit 1999, por përpjekjet tona nuk mjaftuan. Prandaj sot jemi mirënjohës për mbështetjen që Kosova i jep Ukrainës, por në të njëjtën kohë ritheksojmë qëndrimin tonë parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti. Në të njëjtën kohë, kush mund të jetë në të vërtetë mosmirënjohës për ndihmën që vjen nga çdo anë në formën e dhembshurisë, humanizmit, për çdo ndihmë të dhënë, çfarëdo vendi, territori apo pjesë që mund të jetë”, shtoi ai, duke folur për televizionin publik.
Për sanksionet që Serbia refuzon t’ia vendos Rusisë, Tolkach tha se do të ishte mirë që Serbia t’i mbronte vlerat europiane së bashku me Ukrainën.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...