Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka shpallur fajtor dhe dënuar me 27 vite burgim dhe 1 mijë e 300 euro të akuzuarit Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha, të cilët në dhjetor të 2021-ës në Mitrovicë kishin realizuar dy grabitje, në një barnatore dhe në një market, ku në këtë të fundit kishte mbetur i vrarë pronari i marketit A.M.
Në këtë rast Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha po akuzohen se më 28 dhjetor 2021 pasi që planifikojnë plaçkitjen në market “Selaci” në Mitrovicë, hyjnë të maskuar në market dhe pas rezistencës së pronarit të lokalit i pandehuri Hasani kishte shkrepur armën në drejtim të të njëjtit, derisa predha e kishte goditur viktimën në fyt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Viktima A.M kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra me armë zjarri.
Të njëjtët akuzohen po ashtu se një ditë më herët kishin kryer grabitje në barnatoren “Meg Pharm” në Mitrovicë, nga arka e së cilës kishin plaçkitur 130 euro dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.
I akuzuari Hasani po ngarkohet nga prokuroria edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armeve”.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ndaj të akuzuarit Muhamed Hasani për shkak të veprës penale në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim prej 12 vite e 6 muaj dhe gjobë në shumë prej 400 euro.
Për veprën penale të referuar në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës gjykata të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 viteve dhe gjobë në shumë prej 300 euro.
Kurse, për veprën penale të referuar në pikën e tretë të dispozitivit të aktakuzës gjykata të akuzuarit të parë i ka shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.
Gjykata, të akuzuarit Muhamed Hasani i ka shqiptuar dënimin unik me burgim prej 15 viteve dhe me gjobë në shumë prej 700 euro, ku përfshihet koha e mbajtjes në paraburgim nga data 28 dhjetor 2021 deri më 6 qershor 2022.
Tutje, ndaj të akuzuarit të dytë Gramos Rexha, për shkak të veprës penale në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim prej 10 viteve dhe gjobë në shumë prej 300 euro.
Për veprën penale të referuar në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës gjykata të akuzuarit Rexha i ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 viteve dhe gjobë në shumë prej 300 euro.
Gjykata, të akuzuarit Gramos Rexha i ka shqiptuar dënimin unik me burgim prej 12 viteve dhe gjobë në shumë prej 600 euro, ku përfshihet edhe koha e mbajtjes në paraburgim nga data 28 dhjetor 2021 deri më 6 qershor 2022.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 qershor 2022, të akuzuarit Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.
Prokurori i rastit Naim Beka i kishte propozuar gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të dy të akuzuarve, pasi që ky pranim ishte dhënë në mënyrë vullnetare nga të akuzuarit, të njëjtët kishin bashkëpunuar me organet e drejtësisë në mënyrë kontruktive, duke ndihmuar në drejtimin e vendosjes së gjendjes faktike, si dhe për arsyen se pranimi i fajësisë ishte në pajtim me provat në shkresat e lëndës.
Tutje, mbrojtësit e të akuzuarve Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha, avokatët Bashkim Mehana dhe Besim Parduzi i kishin propozuar gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturve të tyre.
Avokatët Mehana dhe Parduzi i kishin propozuar gjykatës që në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të merret parasysh rrethanat lehtësuese, si ajo e pranimit të fajësisë nga të mbrojturit e tyre që nga fillimi i procedurës dhe bashkëpunimi i të njëjtëve për të zbardhur këtë çështje, pendesa e thellë e të mbrojturve të tyre për kryerjen e veprës penale, premtimi se nuk do të përsërisin më vepra të tilla si dhe fakti se të njëjtët nuk kanë qenë të dënuar më herët.
Gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq kishte aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve pasi kishte vlerësuar se pranimi i fajësisë nga të pandehurit Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha është dhënë vullnetarisht, se ata e kanë kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit, si dhe pranimi i fajësisë është në pajtim me provat në shkresat e lëndës.
Sipas aktgjykimit, gjykata pas vlerësimit të të gjitha rrethanave, ka shqiptuar dënimet për të pandehurit si në dispozitiv të vendimit, duke konsideruar shkallën e përgjegjësisë dhe rrezikshmërisë shoqërore për veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit, për të parandaluar kryerësit e veprave penale në të ardhmen, për të rehabilituar njëkohësisht vetë të akuzuarit, si dhe për të penguar personat e tjerë nga kryerja e veprave penale.
Tutje, sipas aktgjykimit nëse të pandehurit nuk e paguajnë gjobën brenda afatit të caktuar prej 15 ditësh nga plotëfuqishmëria e këtij aktgjykimi, dënimi më gjobë do të zëvendësohet me dënim me burgim, në atë mënyrë që 20 euro të llogariten si një ditë burgim.
Të akuzuarit Hasani dhe Rexha detyrohen që secili veç e veç në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi të paguajnë shumën prej 50 euro në emër të paushallit të gjykatës, 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.
“Në kuptim të nenit 366 par.3 të Kodit Penal, konfiskohet pistoleta “Uzor”, prodhim ish-çekosllovak, numër serial D82964 dhe një thikë”, thuhet tutje në aktgjykim.
Ndërsa, pala e dëmtuar u këshillua që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në procedurë civile.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Muhamed Hasanit dhe Gramos Rexhës më 24 maj 2022.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha më 28 dhjetor 2021 rreth orës 22:20 minuta në Mitrovicë, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, pas marrëveshjes paraprake, së bashku me qëllim që vetit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze dhe atë me përdorimin e armës së zjarrit dhe thikës tentojnë të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër.
Rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që paraprakisht në qajtoren “Qajbahqe” të njëjtët planifikojnë grabitjen ku ndajnë rolet e tyre, ashtu që merren vesh që i pandehuri Muhamed do të merrej me pronarin, ndërsa i pandehuri Gramos do të merrte paratë nga arka.
Gjithnjë sipas marrëveshjes të njëjtit shkojnë afër marketit “Selaci” ku përcjellin lëvizjet e pronarit, tashmë të ndjerit A.M ku pasi që maskohen dhe vendosin durzat në duar futen në market, ku së pari në market hyn i pandehuri Muhamed me armë në dorë e llojit “Uzor” prodhim i ish Qekosllovakis me numër serik D82964, ndërkaq pas tij futet i pandehuri Gramos me thikë në dorë i cili mbyll derën e e lokalit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamed e repeton revolen dhe i drejtohet të dëmtuarit Ali Maloku duke i thënë: “shtriu në tokë, grabitje, anaj paret”, ku i dëmtuari-tani i ndjeri manifeston rezistencë dhe me qëllim të mposhtjes së rezistencës dhe marrjes së parave i pandehuri Muhamed shkrep armën në drejtim të tij dhe me njërën predhë e godet në fyt, ku pas shkrepjes së armës dhe lëvizjes së kalimtarëve dy të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.
Pjesëtarë të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë u vihen pas dhe në ndjekje e sipër në një distancë prej 350 metra nga vendi i ngjarjes arrijnë që të zënë dy të pandehurit, ku nga i pandehuri Muhamed Hasani sekuestrojnë revolen ndërkaq nga i pandehuri Gramos Rexha sekuestrojnë thikën.
Ndërkohë i dëmtuari A.M nga plagët e marra vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme masive si pasojë e dëmtime të enëve të mëdha të gjakut në anën e majtë të regjionit të qafës të shkaktuar si pasojë e plagëve sklopetare nga veprimi dinamik i predhës së armës së zjarrit.
Me këtë kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 par. 5 lidhur me 3 e 1 dhe lidhur me 31 të KPRK-së.
Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha më 27 dhjetor 2021 rreth orës 18:30 në rrugën “Vëllezërit Dragaj” në Mitrovicë në bashkryerje dhe sipas marrëveshje paraprake me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që derisa e dëmtuara Besarta Lushta ishte duke punuar në barnatoren “Meg Pharm” dy të pandehurit hyjnë brenda, ku i pandehuri Muhamed Hasani me armë në dorë i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “paret, mos bërtit”, ndërsa i pandehuri tjetër Gramos Rexha shkon në drejtim të arkës prej nga merr 130 euro dhe pas marrjes së parave ikin në drejtim të panjohur.
Me këtë kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 par. 3 lidhur me 1 dhe lidhur me 31 të KPRK-së.
Në pikën e tretë të dispozitivit të aktakuzës, Muhamed Hasani 27 dhe 18 dhjetor 2021 në Mitrovicë, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa leje përkatëse ka poseduar armën e kalibrit pistoletë Uzor prodhim i ish Qekosllovakisë, me nr.D82964 një karikator dy fishek S&B 7.65, të cilat i ishin konfiskuar na policia pasi që i pandehuri paraprakisht pas kryerjes së veprës penale nën pikën e parë dhe të dytë të dispozitivit kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por që i njëjti ishte zënë dhe nga i njëjti ishte sekuestruar arma dhe municioni i sipërcekur.
Me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja ne pronësi, kontroll, ose posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...