Brnabiq: Nëse kushtëzohet Asociacioni, dialogu është i kotë

10:56 | 6 Gusht 2022
K.B

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar të premten se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq duket pohuar se në këtë formë po i mbyllet dera e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë,

“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, nëse ata vetë nuk i respektojnë, dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhen pyetur serbët, por nuk janë pyetur”, thotë e para e qeverisë serbe.

Ajo shtoi se Marrëveshja e Brukselit “duhet të jetë mbi të ashtuquajturën Kushtetutë”.

“Dje kam pasur një takim me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam thënë që shpresoj në qasje konstruktive, nuk shoh se ka vend për bisedë me Kurtin, ai nuk ka dëshirë”, shtoi ajo.

Kryeministrja tha se ndihet e shqetësuar me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë Bashkimit Evropian, Josep Borelll, i cili ka pohuar se nuk mund ta detyrojnë Kosovën të bëjë asgjë, ndërsa BE-ja është garantuese e Marrëveshjes së Brukselit.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 18 gusht në Bruksel. /N1/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme