Google ADS

Rusia dëbon 14 diplomatë bullgarë në shenjë hakmarrjeje ndaj Sofjes

16:50 | 5 Gusht 2022
L G

Rusia bëri të ditur të premten se po dëbonte 14 diplomatë bullgarë në përgjigje të vendimit “të pajustifikuar” të Sofjes për të dëbuar personelin diplomatik rus, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta pas nisjes së ofensivës së Moskës në Ukrainë.

Ministria e Punëve të Jashtme ruse në një deklaratë të publikuar më 5 gusht tha se thirri ambasadorin bullgar Atanas Kristin dhe i dorëzoi atij një shkresë ku shkruhej se 14 punonjës diplomatikë bullgarë shpalleshin si “persona të padëshiruar” në Rusi.

Shumë vende evropiane kanë dëbuar diplomatët rusë pasi Moska dërgoi trupat ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt, me Rusinë që i është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Bullgaria në qershor bëri të ditur se po dëbonte 70 persona nga stafi diplomatik rus, numri më i madh i dëbuar njëherazi nga vendi ballkanik.Sofja njoftoi gjithashtu mbylljen e përkohshme të konsullatës së përgjithshme të Rusisë në Bullgari.

“Dëshirojmë të theksojmë se përgjegjësia për pasojat e këtyre hapave kundërprodhues i takon tërësisht qeverisë së Bullgarisë,” tha ministria e jashtme ruse.

“Ne besojmë se veprime të tilla jo vetëm që shkaktojnë dëme të konsiderueshme në lidhjet tradicionale midis vendeve tona… por gjithashtu dëshmojnë për degradimin e mëtejshëm të Perëndimit, i cili është i gatshëm të sakrifikojë interesat e partnerëve për të dëmtuar Rusinë,” thuhet në deklaratë.

Pasi presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, shumë vende perëndimore vendosën sanksione të ashpra ndaj Moskës. Këto masa përfshijnë përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi i transaksioneve bankare “SWIFT”, një embargo ndaj eksporteve ruse, kufizime të investimeve, ngrirje të aseteve për zyrtarët e qeverisë dhe familjet e tyre dhe ndalimin e udhëtimit për shumë zyrtarë të rangut të lartë rusë.

Të ngjashme