Ahmad Ghani Khosrawi investoi dy dekada të jetës së tij për të ngritur sistemin arsimor të Afganistanit. Por, tani atij i duhet që të rinisë karrierën e tij jashtë shtetit, pas kthimit në pushtet të talibanëve.
Duke u larguar drejt Gjermanisë, Khosrawi – që kishte udhëhequr Fakultetin për Letërsi dhe Shkencave Humane në Universitetin e Heratit – iu bashkua eksodit të profesionistëve, duke e varfëruar edhe më shumë Afganistanin, pasi nga shteti po largohen disa nga mendjet më të ndritura.
Shumë u larguan para tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe forcave të huaja një vit më parë, duke parashikuar se epoka e përparimit dhe lidhjeve me Perëndimit ishte drejt fundit.
Të tjerët, si Khosrawi, iu bashkuan eksodit vetëm pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, kur talibanët i zëvendësuan profesionistët me persona të pakualifikuar, por besnikë ndaj tyre.
“Ata erdhën dhe punësuan njerëzit e tyre”, tha Khosrawi duke iu referuar situatës në sektorin e arsimit. “Natyrisht, kjo ishte një goditje fatale për universitetet dhe shtyri një numër të madh profesorësh që të largohen nga vendi”.
Një vit pas ardhjes në pushtet, qeveria talibane po goditet nga “ikja e trurit” që po pengon aftësinë e qeverisë që të ofrojë shërbime bazike dhe që të trajtojë krizën shkatërruese ekonomike dhe humanitare.
Humbja e fuqisë së aftë punëtore veçanërisht ka prekur sektorët e shëndetësisë, arsimit, sigurisë dhe drejtësisë, tha Mehran Weeda, bashkëdrejtuese e Qendrës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (CAIS) në Universitetin Exeter në Britani.
“Përderisa të dhënat e sakta lidhur me numrin e saktë të personave që janë larguar nuk dihen, mund të thuhet që mijëra afganë të aftë dhe të arsimuar janë larguar nga vendi”, tha ajo.
Shumë nga personat që janë larguar nga Afganistani, gjatë qeverisjes së mëhershme që mbështetej nga Perëndimi kishin studiuar jashtë vendit ose ishin trajnuar në akademitë e huaja ushtarake. Qeveria e kaluar kishte marrë pushtetin pas pushtimit të Afganistanit më 2011, pushtim që ishte udhëhequr nga SHBA-ja.
“Doktorë, inxhinierë, gjykatës dhe avokatë ishin në mesin e personave që kishin mjete financiare, kishin formim arsimor dhe aftësi që do të mund të lehtësonin emigracionin”, tha Weeda. “Humbja e kapitalit të tillë njerëzor, për Afganistanin është thjesht katastrofike”.
Talibanët veçse po përballen me pengesa të mëdha që do të mund të testonin çdo qeveri. Sundimi i tyre zyrtarisht nuk njihet nga asnjë shtet dhe dorëzimi i ndihmës së premtuar ndërkombëtare – që ka për qëllim të ndihmojë vendin të përballet me krizën humanitare të shkaktuar nga uria, thatësirat dhe pasiguria –është komplikuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj grupit militant. /rel/
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin ...
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës