Forcat ukrainase janë akuzuar nga Amnesty International (AI) se po vënë në rrezik civilët, duke u vendosur në ndërtesa banimi, shkolla dhe spitale. Këto akuza nxitën një reagim të ashpër nga Kievi.
Shefja e organizatës Amnesty International, Agnes Callamard, tha se hulumtuesit kanë gjetur një disa “veprime të forcave ukrainase po rrezikojnë civilët dhe po shkelin e ligjet e luftës kur ata po veprojnë në zona të banuara”, u tha në raportin e publikuar më 4 gusht.
Ky raport zemëroi Ukrainën. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se grupi për të drejtat e njeriut kishte nxjerrë një “ekuivalencë të rreme” midis veprimeve të forcave pushtuese ruse dhe ukrainasve që po mbrojnë shtetin e tyre.
“Kjo sjellje e Amnesty International nuk është për gjetje dhe raportimin e të vërtetës në botë, por është për krijimin e ekuivalencës së rreme, midis shkelësit dhe viktimës, midis një shteti që po shkatërron qindra-mijëra civilë, qytete dhe territore me një shteti që po mbron veten”, tha ai.
Ndërkaq, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se raporti është një “shtrembërim” që ka për qëllim të ngrehë pikëpyetje ndaj të drejtës së ukrainasve për të mbrojtur shtetin e tyre.
Callamard nga AI tha se pozicioni mbrojtës nuk i mundëson “ushtrisë ukrainase shmangie nga respektimi i ligjit humanitar ndërkombëtar”.
AI tha se ka gjetur dëshmi se forcat ukrainase kanë kryer sulme nga zona të banuara dhe ushtria është vendosur në ndërtesa civile në 19 qytete dhe fshatra në tri rajone ukrainase. Hulumtuesit e AI-së thanë se i kanë mbledhur këto të dhëna nga prilli deri në korrik.
Amnesty po ashtu ka gjetur se forcat ukrainase në pesë vende kanë përdorur spitalet si baza ushtarake, që sipas kësaj organizate “është shkelje e qartë e ligjit humanitar ndërkombëtar” pasi palëve në konflikt u kërkohet që shmangin vendosjen e ushtarëve në zonat e banuara nga civilët.
Në raport po ashtu thuhet se Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt – po arsyeton sulmet e saj ndaj zonave civile, pasi ushtarët ukrainas janë dislokuar në këto zona./REL
Bislimi në takim me ministrin për Bashkimin Evropian të Polo...
Arrestohet një person në Zveçan pasi i gjenden armë në shtëp...
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin ...
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...