Pacolli kërkon ndaljen e dialogut teknik, “Beogradi e ktheu në dialog me barrikada”

14:59 | 4 Gusht 2022
arbresh.info

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për gazetën zvicerane në shqip LeCanton27.ch ka vlerësuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

“Vendosja e reciprocitetit në dokumentet e identifikimit dhe vendimi për targa është e drejtë sovrane e Kosovës dhe obligim që del nga marrëveshjet e Brukselit. Këtu nuk ka asgjë për të diskutuar, qeveria ka bërë mirë që ka vendosur t’i zbatojë këto vendime. Nëse do të bëhet më 1 gusht apo 1 shtator nuk luan shumë rol, është e rëndësishme që të jetë një veprim i drejtë dhe i koordinuar me aleatët e Kosovë”, ka deklaruar Pacolli, njëherit edhe ish-president i vendit, dhe ish-kryediplomat kosovar.

Sipas tij, është shumë e nevojshme të kërkohet ndërmjetësimi amerikan.

“Është shumë e nevojshme të kërkohet ndërmjetësimi amerikan sepse dialogu po dështon në Bruksel”, deklaroi Pacolli.

Ajo që e ka shqetësuar më shumë është se “dialogu i Brukselit është një proces që më shumë i ngjan pacientit të vdekur se çdo gjë tjetër dhe se ky proces nga Beogradi po kthehet në një dialog me barrikadat që po ngrihen nga strukturat paralele që janë kriminale në vetvete”.

Ai ka kërkuar ndaljen e dialogut teknik, dhe më tepër angazhim në dialogun për marrëveshje finale me Serbinë.

“Gjëja e fundit që e shoh të rëndësishme është ndalja e dialogut teknik dhe fillimi i dialogut për marrëveshjen përfundimtare për njohje dhe që Kosova të paraqesë ofertën e saj se si e sheh këtë marrëveshje, si duhet të duket Asociacioni në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kryejnë disa detyra si Manastiri i Deçanit, që është obligim ligjor për Kosovën. Duke bërë këtë ne ndihmojmë aleatët tanë”, ka theksuar Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme