Votimi nga anëtarët e Partisë Konservatore të Britanisë për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm është shtyrë pasi një agjenci britanike zbulimi paralajmëroi se hakerët kibernetikë mund të ndryshojnë rezultatet e votimit, njoftoi të martën gazeta “The Telegraph”.
Sipas raportit, nuk kishte kërcënime specifike nga një vend armik, ndërsa këshillat ishin kryesisht të karakterit të përgjithshëm lidhur me procesin e votimit dhe dobësitë në rrjet.
Si rezultat i shqetësimeve, Partia Konservatore është detyruar të ndryshojë planet për të lejuar anëtarët të ndryshojnë më vonë gjatë garës votën e tyre për udhëheqësin e ardhshëm, sipas gazetës “The Telegraph”.
Ende nuk janë lëshuar fletët e votimit me postë për rreth 160 mijë anëtarë të partisë, të cilët tashmë janë paralajmëruar se mund të mbërrijnë deri më 11 gusht, thuhet në shkrimin e gazetës britanike. Sipas planit të mëparshëm, fletët e votimit do të dërgoheshin të hënën.
Ish-ministri i Financave Rishi Sunak dhe Sekretarja e Jashtme Liz Truss po konkurrojnë për të marrë postin e kryeministrit të ardhëm britanik pas dorëheqjes së zotit Boris Johnson.
Zonja Truss kryeson në sondazhet e opinionit midis anëtarëve të Partisë Konservatore, të cilët do të vendosin përmes votave se kush do të bëhet kryeministri i ardhshëm më 5 shtator.
Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), pjesë e Qendrës së Kominikimeve Qeveritare (GCHQ), tha se i kishte dhënë këshilla Partisë Konservatore. Qendra e Komunikimit të Qeverisë (GCHQ) mbledh të dhëna nga e gjithë bota për të identifikuar dhe ndaluar kërcënimet ndaj Britanisë.
“Mbrojtja e proceseve demokratike dhe zgjedhore në Mbretërinë e Bashkuar është përparësi për NCSC dhe ne punojmë ngushtë me të gjitha partitë politike parlamentare, autoritetet lokale dhe deputetët për të ofruar udhëzime dhe mbështetje për sigurinë kibernetike”. tha një zëdhënës i NCSC-së për agjencinë e lajmeve Reuters. /voa/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...