Policia e Kosovës demanton informatat e rreme, fton qytetarët të mos bien pre e dezinformatave rreth zhvillimeve në veri

23:26 | 2 Gusht 2022
E.H

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media njofton qytetarët se të gjitha veprimet policore ndërmerren në bazë të autorizimit ligjorë në interes të qytetarëve dhe të vendit.

Njëkohësisht Policia e Kosovës demanton informata e rreme që po qarkullojnë se kinse Policia në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët, gjatë ushtrimit të detyrave policore.

Sipas Policisë, qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta, kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pa sigurisë te qytetarët.

“Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje Policia bënë të ditur se “Gjatë realizimit të detyrave në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës, zyrtarët policorë kufitar janë penguar në kryerje të detyrës nga një person i cili ishte në gjendje të dehur, e i cili sipas procedurave policore është shoqëruar në stacion policor”.

Të gjitha veprimet ndaj të njëjtit do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e informacioneve të tilla të pasakta”, thuhet në fund të njoftimit nga PK./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme