Meta flet pas zhvillimeve në veri të Kosovës: Beogradi të heqë dorë nga nxitja e grupeve kriminale

14:16 | 1 Gusht 2022
arbresh.info

Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën në very të Kosovës.

Në një konferencë nga selia e Partisë së Lirisë Meta tha se sipas tij Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet për të cilat ka rënë dakord por përkundrazi, I keqpërdor ato në interes të politikave destabilizuese.

Meta nuk i kurseu as kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama për të cilin tha se nuk duhet të mbyllë gojën nga Tirana por të qëndrojë krah Kosovës.

Fjala e plotë:

“Ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në Veri të Republikës së Kosovës. Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave është në themelet e Bashkimit Europian. Në BE nuk mund të shkohet me bllokime të marrëveshjeve ndërkombëtarisht të obligueshme, siç po bën Serbia.

Nxitja e tensioneve nga ana e Serbisë në Veri të Kosovës dhe më gjerë në rajon, është në dëm jo vetëm të rajonit tonë, por edhe mbarë Europës. Siguria dhe stabiliteti në rajonin tonë është sot më i domosdoshëm se asnjëherë tjetër. Institucionet e Kosovës treguan pjekuri dhe mençuri që bashkëpunuan dhe pranuan këshillën e aleatëve perëndimorë, BE dhe SHBA, që për 30 ditë të shtyhen masat e reciprocitetit të kalimit të qytetarëve, mallrave dhe mjeteve motorike me Serbinë. Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën, si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet dhe do të ndëshkohet ashpër.

Beogradi të heqë dorë nga nxitja e grupeve kriminale në veri të Kosovës me qëllim destabilizimin e situatës. Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë ngushtë kundër krimit të organizuar, edhe përmes Europolit dhe Interpolit. Qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, nuk duhet të bëjnë lojën e strucit nga halli se i mbetet qejfi shefit të “Ballkanit të Hapur”, por të pozicionohet qartë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj. Siç e pamë qartë dje, Serbia mbylli kufijtë, KM mbyll gojën. Partia e Lirisë vlerëson se është koha të arrihet marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, si një paketë e plotë, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet mes të dy vendeve. Çdo zgjidhje e pjesshme dhe jo tërësore, do të jetë një shteg i hapur për tensione të vazhdueshme dhe me kosto të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë. Procesi i Berlinit dhe integrimet euro-atlantike, janë e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt për të gjithë rajonin.”/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme