Google ADS

Stano: BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel

13:53 | 1 Gusht 2022
arbresh.info

Zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian për Punët e Jashtme, Peter Stano, thotë Bashkimi Evropian fton të dyja palët të takohen në Bruksel, një ditë pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, deklaroi Stano në një konferencë për medie, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.

“E-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në. Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së HRVP Borrell dhe SHBA-së për shtyrjen e masave të planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, shtoi Stano.

Ai theksoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

“Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian. Propozimi i HRVP Borrell ishte që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin në Bruksel ndërkohë për të diskutuar një rrugë përpara. Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”, tha Stano./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme