Edi Rama për zhvillimet në veri: Këto situata tregojnë pse Kosova duhet të ulet në tryezën e ‘Ballkanit të Hapur’

11:44 | 1 Gusht 2022
arbresh.info

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje edhe një herë autoriteteve të Kosovës për t’ju bashkuar iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, një ditë pas tensioneve në veri.

“Këto situata tregojnë pse duhet pikërisht ‘Ballkani i Hapur’, këto situate tregojnë pikërisht pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në tryezën e ‘Ballkanit të Hapur’. Kur vjen puna që gjërat shkojnë në thikë, ka dy rrugë, njëra e kthimit mbrapa dhe e luftës, nga e cila nuk fiton askush, sepse Kosova është vend sovran dhe kaq, dhe rruga tjetër ndërtimi i paqes. Sa herë ndodhin këto gjëra konfirmohet se duhet të punojmë me këmbëngulje për paqe”, deklaroi Rama në një konferencë për medie.

Ai shprehu mbështetjen e plotë për autoritetet e Kosovës për zbatim të marrëveshjes, derisa përkrahi shtyrjen e zbatimit, vendim ky që u mor në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Në mesnatë, qeveria ka shtyrë zbatimin e dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme