Sa dhe si Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën për liberalizim të vizave

10:18 | 31 Korrik 2022
A. B.

Dihet Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave por kjo, nuk po e bënë që Brukseli të bëjë një hap para, dhe të bëjë liberalizimin.

Edhe pse në vazhdimësi institucione e Kosovës, i kanë bërë thirrje atyre të Bashkimit Evropian, që të liberalizohen vizat, e ata kanë dhënë shpresa kohë pas kohë, por as edhe një herë, nuk kanë bërë asgjë konkrete.

Nuk ka përparim edhe pse ndërkombëtarë të shumtë që e kanë vizituar Kosovën, kanë dhënë shenja pozitive që kjo do të ndodh se shpejti, shkruan arbresh.info.

Por, disa prej tyre në disa raste lirinë e kosovarëve për të udhëtuar në shtete e Bashkimit Evropian, e kanë lidhur me dialogun me Serbinë.

Por, sa mund të ndihmojë një shtet i tretë Kosovën, për liberalizim të vizave.

“Procesi i liberalizimit është proces teknik i cili dakordohet nëpërmjet vendeve aspirante që të kenë liberalizim të vizave, dhe institucioneve të Bashkimit Evropian. Prandaj në ketë mes nuk ka hapësirë, edhe pse është e mirëpritur, që vendet tjera, të lobojnë për ndonjë nga vendet”, ka thënë për arbresh.info, Qemajl Marmullakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ai ka shtuar se është obligim i Qeverisë së Kosovës, që t’i zbatoj kriteret për të cilat janë dakorduar me institucionet e BE, dhe pastaj në mënyrë vetanake të shpjegojë zbatimin e kritereve tek vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit arbresh.info nëse po bashkërendojnë angazhimin  për të bindur vendet skeptike në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Analisti, Ridvan Berisha, ka thënë se tashmë askush nuk mund ta ndihmojë Kosovën, por kjo nuk është më as në dorë të vetë Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Kosova, ka kohë që i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por ndërkombëtarët në vazhdimësi i kanë mashtruar politikanët e Kosovës.

“Liberalizimi i vizave tash e sa kohë nuk është në varësi të institucioneve të Kosovës. Tjetër gjë është pastaj dëshira e disa politikanëve në Kosovë, ta zëmë në të kaluarën, që kanë ngarendur për të marrë merita për viza, e në fund doli që ata na mashtruan. Mashtrimin në esencë e bëri Brukseli duke dhënë zotime për këtë por ja që politikanët tanë ranë në lajthitje”, ka thënë Berisha

Ai ka shtuar se koston e kësaj lajthitjeje e mbajnë vetë politikanët që ranë në lajthitje.

“Sot, kemi një realitet tjetër. Çka flet ky realitet? Na tregon se liberalizimi nuk është në dorë të kosovarëve por vendimi i takon faktikisht Brukselit. Druaj se tashmë vizat si proces po varen nga progresi që Kosova do ta bëjë në dialogun me Serbinë”, ka theksuar Berisha.

Ai ka shtuar se  mosliberalizimi nga ana e Brukselit, është një padrejtësi të madhe.

“Kosova më shumë se çdo vend i rajonit i ka përmbushur kriteret për viza. Çdo kriter shtesë e bënë Brukselit adresë të padrejtësisë për izolimin e kosovarëve”, është shprehur Berisha.

Ndryshe, nga udhëheqësit e shtetit mosliberalizimi i vizave është vlerësuar si padrejtësi e madhe, por në vazhdimësi kanë hasur në vesh të shurdhër. Edhe në Kuvend, këtë muaj ka pasur disa seanca diskutimi për mosliberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme