Mbi 20 mijë pushues kanë marrë shërbim shëndetësor në zonat turistike në Shqipëri

14:31 | 30 Korrik 2022
E.H

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në shqipëri Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër qendrën shëndetësore verore Velipojë, një prej qendrave me fluksin më të lartë të pushuesve në zonat turistike.

Manastirliu tha se në qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin janë mbi 20 mijë pushues që kanë marrë shërbim, teksa foli për organizmin e shërbimit në territor me qendrën kombëtare të urgjencës mjekësore.

“Janë mbi 20 mijë pushuesit dhe turistët që kanë marrë shërbim deri tani në 29 qendrat shëndetësore verore në zonat turistike. Por janë edhe 18 njësi të autoambulancave të vendosura në qendrat shëndetësore verore, por edhe në zona të ndryshme të bregdetit, në mënyrë që referimi i rastit, transporti i rastit të kryhet në një kohë shumë të shpejtë, në të gjithë strukturat spitalore, të cilat gjithashtu janë në gatishmëri të plotë dhe që ofrojnë të gjithë terapitë e mjekimit me standarde bashkëkohore”, tha Manastirliu.

Janë 29 qendra verore 24-orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregdet përgjatë sezonit turistik veror, gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë.

Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum.

Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo.

Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.

Koordinimi i shërbimit mjekësor bëhet përmes numrit 127 nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore./tvklan/

Të ngjashme