Ishte nisur të bënte vrasje me pagesë, Policia e Shqipërisë parandalon atentatin në Korçë

12:10 | 30 Korrik 2022
E.H

Policia në Korçë ka vënë në pranga një të ri që dyshohej se do të kryente vrasje me pagesë.

Bëhet e ditur se Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë organizuan operacionin e koduar policor “Matrix” pas informacioneve se një 26-vjeçar, që muajin e fundit kishte dalë nga burgu, mund të kryente një vrasje me pagesë.

Në pranga u vu K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

I riu u lokalizua nga policia në lagjen nr. 14, Korçë.

26-vjeçari, sapo ka kuptuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës.

Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu hetimet kanë nisur për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me 26-vjeçarin.

Dyshohet se adoleshenti ka qenë në dijeni që personi me të cilin shoqërohej ishte i armatosur. /abcnews.al/

Të ngjashme