Dështon propozimi i PDK-së, çmimet e barnave do të “rregullohen” në vjeshtë me propozim të qeverisë

13:31 | 29 Korrik 2022
arbresh.info

Nga 64 deputetë sa ishin në sallë të Kuvendit, vetëm 19 prej tyre votuan ‘për’, 44 ishin ‘kundër’, dhe dy deputetë ‘abstenuan, në Shqyrtimin e parë të projektligjit për rregullimin e çmimeve medicinale, duke mos arritur të marrë votat e mjaftueshme për miratim, pavarësisht një debate të gjatë.

“Kthehemi në orën 15:00 për ta vazhduar seancën”, deklaroi kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi komunikoi rezultatet, raporton arbresh.info.

Propozuesja e këtij projektligji nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, akuzoi pozitën se janë të lidhur me kompanitë farmaceutike prandaj zvarrisin miratimin e këtij projektligji.

“Mbrojtja më e mirë është sulmi i tyre. Asnjë lidhje nuk e kam me oligarkët. Ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike dhe kjo po ju shtyen me pengu miratimin e këtij projektligji,” tha Zejnullahu.

Pavarësisht kësaj, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, siguroi deputetët se ky projektligj do t’ju dorëzohet deputetëve nga qeveria në vjeshtë për shqyrtim.

“Projektligji ka mbrau, do ta keni shansin me shut dicka. Po pajtona se duhet të kemi ligj, dhe do ta bëjme në seancën vjeshtore”, tha ministri Latifi.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, bëri të ditur se ketë projekligj nuk e kanë vetëm Kosova dhe Bellorusia.

“Mos e atakoni opozitën, dhe sot po shihet se kjo iniciativë ligjore është vonuar nga qeveria. Çmimet janë ekstremisht të larta”, deklaroi Deliu.

Mbështetje këtij projektligji i dha edhe deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, por kur të propozohet nga qeveria.

“Presim në shtator. Kudo në botë ka probleme për shkak të lobimit të kompanive të mëdha farmaceutike dhe kjo është mjaft reale”, deklaroi Abazi.

Për shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, vjeshta do të jetë e vonë për shqyrtimin e këtij projektligji.

“Në shtator shkojmë në bllokadë, pasi si opozitë do të shkojmë në pozicionin tonë opozitar”, deklaroi Tahiri.

Deputetët e pozitës dhe opozitës për rreth tre orë diskutuan në lidhje me nevojën urgjente për miratimin e Projektligjit që rregullon çmimin e produkteve medicinale, por derisa opozita kërkonte mbështetjen në shqyrtimin e sotëm, deputetët e pozitës përkrahën iniciativën që do të dorëzojë në Kuvend, ekzekutivi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme