Begaj: Jam i vetëdijshëm për vështirësitë që do të na duhet të përballojmë

09:27 | 29 Korrik 2022
arbresh.info

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një videomesazh për për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, dhe 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me ShBA tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë që do të duhet të përballojnë.

“Nën modelin e demokracisë amerikane dhe unitetin e familjes evropiane, Shqipëria ka nevojë për përkushtimin tonë, ka nevojë për ndershmërinë tonë, ka nevojë për punën dhe besimin e të gjithëve ne, ka nevojë për dashurinë tonë”, deklaroi Begaj, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, 100 vite, SHBA mbështeti çdo hap të Shqipërisë drejt transformimit demokratik dhe drejt rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë,

E sotmja është një mbrëmje feste, pasi ri konfirmojmë rrugën e pakthyeshme evropiane dhe partneritetin me aleatin tonë prej një shekulli.

Jam i vetëdijshëm se 10 ditë më parë, me vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në rrugën që kemi zgjedhur, në rrugën e bashkimit në një federatë popujsh e kombesh që u krijua si bashkim vullnetesh – e vetmja në histori deri më sot – do të ketë ndryshime jo vetëm në rrafshin politik e shtetëror, por edhe në koncepte të tilla themelore si pavarësia e identiteti.

Duke promovuar identitetin tonë kombëtar, faktorin më të rëndësishëm historik e kulturor, që nuk njeh kufij dhe nuk ka pengesë për t’u lartësuar, shqiptarët do të jenë qytetarë dhënës në qytetërimin europian.

Jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë, dhe më shumë akoma, jam i vetëdijshëm për vështirësitë që do të na duhet të përballojmë.

Por, nëse punojmë të gjithë duke pasur në mendje dhe në zemër Shqipërinë, interesin kombëtar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e të brezave të tjerë që do të vijnë, jam i bindur, se jo vetëm vështirësitë do t’i përballojmë, por atdheu ynë do të përparojë e zhvillohet.

28 korriku është një datë shumë e rëndësishme edhe për popullin shqiptar dhe atë amerikan, si dy popuj që i bashkojnë vlerat, parimet.

Në 100 vite, SHBA kanë qenë aty për ne, duke mbështetur cdo hap të Shqipërisë drejt transformimit demokratik dhe drejt rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nën modelin e demokracisë amerikane dhe unitetin e familjes evropiane, Shqipëria ka nevojë për përkushtimin tonë, ka nevojë për ndershmërinë tonë, ka nevojë për punën dhe besimin e të gjithëve ne, ka nevojë për dashurinë tonë.

Është koha t’ia japim ato pa asnjë rezervë, pa u lodhur, por me devocion e përkushtim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme