Kryeministri Edi Rama përshëndeti shqiptarët në koncertin festiv organizuar me rastin e dy ngjarjeve speciale: 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se “nisja zyrtare e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është vetëm fundi i fillimit të një rruge tejet sfiduese, por të duhur, të lodhshme, por të bukur, të gjatë, por aspak të vetmuar”.
“Nga vendi më i vetmuar, më i prapambetur, më i varfër i kontinentit, ne sot jemi jo ku e ku më të zhvilluar e më pak të varfër se sa vetëm tre dekada më parë, po jemi më shumë se asnjëherë më parë në këto tre dekada, të mbrojtur nga çdo rrezik, në mes të dy aleatëve tanë të mëdhenj strategjike, SHBA e BE, dhe të respektuar nga çdokush në arenën ndërkombëtare, si një vend i vogël, por me karakter dhe dinjitet. Shqipëria në krye të OSBE, Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ne tryezën e negociatave për anëtarësim, Shqipëria bazë ajrorë dhe së shpejti edhe bazë detare e NATO-s, Shqipëria në krye të procesit të transformimit të rajonit nga një zonë lufte e konfliktesh, në një zone paqeje e zhvillimi ekonomik, të gjitha këto zhvillime të këtyre viteve më të fundit, që jo prindërit e gjyshërit tanë, po as shumëkush prej nesh as që i imagjinonte dot deri para disa vitesh, kur Shqipëria kishte humbur busullën dhe çdo dinjitet ndërkombëtar. Ne kemi fatin dhe mundësinë të jetojmë në të përpjetën drejt majës ku Shqipëria e ka vendin e saj natyral, nën qiellin e Europës së Bashkuar”, tha Rama.
“Ndjehuni mirë sonte, ndjehuni mirë çdo ditë më tutje, sepse më e fortë Shqipëria s’ka qenë kurrë, më të fortë se sot shqiptarët në Shqipëri e në këtë rajon s’kanë qenë kurrë, falë pa diskutim edhe dy kokave të shqiponjës së miqësive tona, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Ndjehuni të sigurt në të ardhmen dhe të motivuar të punojmë çdo ditë e më shumë që ajo të bëhet sa më parë e sotmja e Shqipërisë së fëmijëve tanë! Dhe mbi të gjitha ndjehuni krenarë për Shqipërinë dhe për flamurin më të bukur në botë, sepse sot flamuri ynë është në mes dy të tjerëve, që janë mishërimi i lirisë, i demokracisë dhe i fuqisë për të shkuar çdo ditë të sigurt përpara”, shtoi Rama./A2
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...