Google ADS

Kurti: Nënshkrimi i marrëveshjes me MCC është kremtim i marrëdhënieve të thella me SHBA-në

08:58 | 28 Korrik 2022
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti po qëndron në SHBA për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në.

Ai në një postim në Facebook tha se për herë të fundit SHBA-në e kishte vizituar pas tetë viteve para tre muajve ne funeralin e ish-sekretarës amerikane Madeleine Albright.

“Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Ëashington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të.Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright”, u shpreh Kurti.

Kryeministri tutje potencoi se nënshkrimi i marrëveshjes me SHBA-në me vlerë prej 236.7 milionë dollarë është edhe kremtim i marrëdhënieve të thella me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë”, tha Kurti.

Tutje ai tha se Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike.

“Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”, ka shkruar Kryeministri në Facebook.

Në fund Kurti deklaroi se i është mirënjohës MCC-së dhe e falënderon kryeshefen ekzekutive Alice Albright dhe ministren e Ekonomisë që negociuan për arritjen e kësaj marrëveshje

“Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta. Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje”, ka thënë në fund Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme