Ish-presidenti Donald Trump do të kthehet të martën në Uashington, për herë të parë që nga largimi nga detyra, për të mbajtur një fjalim për politikën, përpara një grupi studimor aleat që ka hartuar një agjendë për një mandat të dytë të mundshëm.
Ish presidenti Trump do t’i drejtohet takimit dy ditësh të Institutit Politik Amerika e Para (AFIP), ndërsa disa këshilltarë po e nxisin atë të kalojë më shumë kohë duke folur për pikëpamjet e tij për të ardhmen dhe më pak kohë duke u ndërlidhur me zgjedhjet e 2020-ës, ndërsa përgatitet të shpallë një fushatë të pritshme për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
“Unë besoj se do të jetë një fjalim shumë i përqendruar në politika, me shikim përpara, më shumë si një fjalim mbi gjendjen e kombit 5.0”, tha presidentja e AFPI-së, Brooke Rollins.
E përbërë nga ish-zyrtarë dhe aleatë të administratës së Trump, organizata jofitimprurëse shihet gjerësisht si një “administratë në pritje” që mund të zhvendoset shpejt në krahun perëndimor (të Shtëpisë së Bardhë) nëse zoti Trump do të kandidonte përsëri dhe do të fitonte.
Paraqitja e Trump në Uashington, udhëtimi i tij i parë që nga 20 janari i vitit 2021, kur presidenti Joe Biden bëri betimin, ndodh ndërsa rivalët e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2024 kanë ndërmarrë hapa gjithnjë e më të hapur për të sfiduar statusin e tij si flamurtar i partisë.
Në mesin e tyre është edhe ish nënpresidenti Mike Pence, i cili ka promovuar “Agjendën e tij të Lirisë” në fjalimet që shërbejnë si një kontrast i nënkuptuar me Trump.
“Disa njerëz mund të zgjedhin të përqendrohen në të kaluarën, por unë besoj se konservatorët duhet të përqendrohen në të ardhmen. Nëse e bëjmë këtë, ne nuk do të fitojmë vetëm zgjedhjet e ardhshme, ne do të ndryshojmë rrjedhën e historisë amerikane për gjenerata”, kishte planifikuar të thoshte Pence në një fjalim në Fondacionin Heritage në Uashington në prag të vizitës së Trump.
Paraqitja e Pence u shty për shkak të motit të lig, por ai do të mbajë fjalimin e tij të martën në mëngjes përpara Fondacionit të Amerikës së Re, jo shumë larg takimit të AFPI-së.
Ish presidenti Trump ka shpenzuar shumë kohë që nga largimi nga detyra i përqendruar në zgjedhjet e vitit 2020 dhe duke përhapur gënjeshtra për humbjen e tij për të mbjellë dyshime për fitoren e presidentit Biden.
Në të vërtetë, edhe kur komisioni i 6 janarit po nxirrte në pah përpjekjet e tij të dëshpëruara dhe potencialisht të paligjshme për të qëndruar në pushtet dhe refuzimin e tij për të larguar një turmë të dhunshme të mbështetësve të tij ndërsa ata përpiqeshin të ndalonin kalimin paqësor të pushtetit, Trump vazhdoi të përpiqej t’u bëjë trysni zyrtarëve për të përmbysur fitoren e zotit Biden, pavarësisht se nuk ka mjete ligjore për të rrëzuar zgjedhjet e kaluara.
“Presidenti Trump sheh një komb në rënie, pjesërisht për shkak të rritjes së krimit dhe komuniteteve që janë bërë më të pasigurta për shkak të politikave demokrate”, tha zëdhënësi i tij, Taylor Budowich.
“Fjalimi i tij do të nxjerr në pah dështimet e politikave të demokratëve, ndërsa do paraqes një pikëpamje të ‘Amerika e para’ për sigurinë publike që me siguri do të jetë një çështje përcaktuese për zgjedhjet për Kongresin dhe përtej”.
Përtej takimit të lartë, personeli AFPI ka hedhur themelet për të ardhmen, “duke u siguruar që të kemi politikat, personelin dhe procesin e përcaktuar për çdo agjenci thelbësore kur të marrim përsëri Shtëpinë e Bardhë”, tha Rollins.
Organizata jofitimprurëse u zhvillua, tha ajo, nga përpjekjet për të shmangur ditët e hershme kaotike të mandatit të parë të Trump, kur ai arriti në Shtëpinë e Bardhë i papërgatitur, pa plane të qarta e të gatshme për t’u zbatuar.
Ndërsa Trump po kandidonte për rizgjedhje, Rollins, në atë kohë shefe e Këshillit të Politikave të Brendshme të Trump, filloi të hartonte një agjendë të mandatit të dytë me zyrtarë të tjerë të administratës, përfshirë këshilltarin e lartë të politikës ekonomike Larry Kudlow dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien.
Kur u bë e qartë se Trump do të largohej nga Shtëpia e Bardhë, tha ajo, AFPI u krijua për të vazhduar punën “të organizuar rreth asaj agjende të mandatit të dytë që ne nuk e publikuam kurrë”.
Organizata, është shndërruar në një gjigant, me një buxhet operativ prej rreth 25 milionë dollarësh dhe 150 pjesëtarë të personelit, përfshirë 17 ish zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe nëntë ish anëtarë të kabinetit.
Grupi gjithashtu ka më shumë se 20 qendra politikash dhe është përpjekur të zgjerojë shtrirjen e tij përtej Uashingtonit me orvatjet për të ndikuar në legjislaturat lokale dhe bordet e shkollave.
Një “nismë e udhëheqjes amerikane”, e drejtuar nga ish shefi i Zyrës së Menaxhimit të Personelit, Michael Rigas, filloi disa javë më parë të identifikojë personelin e ardhshëm besnik ndaj Trump dhe qasjes së tij “Amerika e para”, të cilët mund të punësoheshin si pjesë e një përpjekjeje më të madhe, për të zëvendësuar pjesë të mëdha të shërbimit civil, raportoi së fundmi gazeta në internet Axios.
Grupi është një nga disa organizatat aleate të Trump që kanë vazhduar të çojnë përpara politikat e tij në mungesë të tij, duke përfshirë ‘America First Legal’, e përkushtuar për të luftuar agjendën e presidentit Biden përmes sistemit gjyqësor, Qendrën për Ripërtëritjen e Amerikës dhe Institutin e Partneritetit Konservator.
Takimi synon të nxjerrë në pah “Agjendën Amerika e para” të AFPI-së, e përqendruar në rreth 10 fusha kryesore të politikave, duke përfshirë ekonominë, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë e zgjedhjeve.
Ai përfshin shumë nga çështjet që mbajnë vulën e Trump, si vazhdimi i ndërtimit të një muri përgjatë kufirit jugor dhe një plan për “çmontimin e shtetit administrativ”.
Në një fjalim të hënën, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, “Kontrata me Amerikën” e të cilit është vlerësuar se ndihmoi fitoren e republikanëve në zgjedhjet afatmesme të vitit 1994, e vlerësoi përpjekjen si çelësin për fitoren e ardhshme të Partisë Republikane.
“Populli amerikan kërkon zgjidhje”, tha ai.VOA
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...