Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë e sekuestrimit të aseteve ruse të ngrira nën sanksionet për luftën e Moskës kundër Kievit, për t’i përdorur ato për rindërtimin e pasluftës të ish-republikës sovjetike që dëshiron të integrohet me demokracitë perëndimore.
Ndërsa shumë në BE thonë se konfiskimi është politikisht dhe moralisht i dëshirueshëm, ata shqetësohen gjithashtu se ai është i paligjshëm dhe se do ta hapte mundësi ndaj padive për bllokun që mund të rrezikonte t’i humbiste rastet në gjykatat e veta.
Këtu është gjendja aktuale e debatit pas më shumë se 150 ditësh të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
BE-ja ka sanksionuar më shumë se 1.200 individë dhe 100 entitete për destabilizimin e Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë nga Moska më 2014.
Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, në mesin e tyre, BE-ja futi në listën e zezë presidentin Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe oligarkë rus.
Këtyre njerëzve tani u është ndaluar të vizitojnë BE-në dhe pasuritë e tyre në bllok janë ngrirë, por nuk konfiskohen për t’u shitur, për shkak që për ta bërë këtë në shumicën e vendeve anëtare kërkohet një dënim penal.
Thesari i SHBA-së tha në fund të qershorit se aleatët perëndimorë kishin ngrirë ose bllokuar më shumë se 30 miliardë dollarë asete të sanksionuara të rusëve.
Komisioni Evropian ekzekutiv i BE-së ka raportuar 13.9 miliardë euro të aseteve të oligarkëve rusë të bllokuara në BE.
Por, kjo mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së këtyre individëve në listën e zezë.
Derisa nuk ekzistojnë shifra të sakta, Anders Aslund, një ekonomist suedez që këshilloi Qeverinë ruse në të kaluarën, vlerëson se të gjitha pasuritë e individëve të listës së zezë jashtë Rusisë mund të vlejnë rreth 400 miliardë dollarë.
Nuk është e qartë se sa nga kjo shumë mund të jetë në Evropë ose SHBA dhe për rrjedhojë sa është shuma që mund të jetë subjekt i ngrirjes ose konfiskimit.
Në krye të kësaj vjen një vlerë prej 300-400 miliardë dollarësh të aktiveve të bankës qendrore ruse të mbajtura në Perëndim, nga të cilat Franca ka raportuar se ka ngrirë rreth 23 miliardë euro.
Këto asete mund të shkojnë drejt plotësimit të nevojave të Ukrainës për rindërtimn.
Një zëvendëskryeministër i vendit e vlerësoi 700 miliardë dollarë vetëm rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Shtetet perëndimore fillimisht do të duhet të konfiskojnë asetet, gjë që në shumicën e vendeve të BE-së kërkon një dënim gjyqësor për një vepër penale.
Për ta mundësuar këtë, Komisioni i BE-së dëshiron të zgjerojë listën e krimeve të njohura në të gjithë BE-në për të përfshirë anashkalimin ose përpjekjen për të anashkaluar sanksionet.
Ky plan mund të miratohet këtë vjeshtë, por do të duhet më shumë kohë për të arritur në të 27 vendet e bllokut.
Në paketën e saj të fundit të sanksioneve, BE-ja javën e kaluar vuri përgjegjësinë mbi individët e sanksionuar për të deklaruar pasuritë e tyre për ngrirje, në një përpjekje për ta bërë më të lehtë veprimin e zyrtarëve shtetërorë.
Blloku po shqyrton, gjithashtu, mundësinë e konfiskimit pa vendim, megjithëse ka përvojë të kufizuar me atë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Itali dhe Irlandë.
Me të drejtat e pronës të sanksionuara në Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore, zyrtari më i lartë i drejtësisë në bllok, komisioneri Didier Reynders, ishte i kujdesshëm.
“Sipas mendimit tim, konfiskimi duhet të jetë rezultat i një dënimi penal”, tha Reynders për Reutersin javën e kaluar.
“Gjëja e fundit që dua është që BE-ja të nxitojë në vendime dhe më pas të shohë vendime negative që vijnë nga Luksemburgu ose Strasburgu”, tha ai duke iu referuar gjykatës më të lartë të BE-së, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Francë.
GJED-ja ka pranuar rreth 150 ankesa në lidhje me sanksionet e BE-së për trazirat në Ukrainë që nga viti 2014, nga të cilat rreth 70 janë ende në proces, tha zyra e shtypit e gjykatës.
Nga këto, rreth 50 vendime të BE-së janë anuluar, të paktën pjesërisht, tha ai.
Kjo, megjithatë, ndonjëherë kishte pak efekt praktik siç ishte rasti me ish-presidentin pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviq.
Ai ishte sanksionuar edhe për një vit tjetër sipas një vendimi të ri zyrtar, kur ai fitoi në mënyrë të përsëritur kundër vendimeve të tilla të mëparshme që tashmë kishin skaduar.
Megjithatë, ky është një paralajmërim i rëndësishëm për ata që mendojnë të ridrejtojnë asetet e ngrira ruse për të rindërtuar Ukrainën.
Nëse sekuestrimi rezulton i pamundur për arsye ligjore ose praktike, Reynders tha se Perëndimi mund t’i mbajë të ngrira asetet e Rusisë për aq kohë sa Moska nuk pranon të kontribuojë në rindërtimin e Ukrainës si pjesë e bisedimeve përfundimtare të paqes. REL
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut