Shqipëria jo rastësisht është njëri ndër destinacionet e preferuara për pushime verore, nga qytetarët e Kosovës.
Atje ka plazhe të bukura dhe vende të shumta për të vizituar, pa shpenzuar shumë para, shkruan arbresh.info.
Njëri ndër këto vende është edhe qyteti historik i Krujës.
Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalaja mbresëlënëse, por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi.
Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane. Kruja njihet ndryshe edhe si “qyteti i bardhë”.
Destinacion tjetër për të vizituar është edhe Lugina e Valbonës.
Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit.
Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe duke u konsideruar si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”
Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin. Apollonia është një nga qendrat më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Më parë në këtë zonë ishte një vendbanim Ilir, me ardhjen e kolonive qyteti mori emrin Apolloni për nder të të perëndisë Apollon. Pozicioni gjeografik i qytetit ka luajtur një rol të rëndësishëm, kështu Apollonia ishte ngritur jo shumë larg detit, komunikonte nëpërmjet lumit Vjosa , në një zonë mjaft të pasur të Ilirisë së jugut të banuar nga fiset ilirë të Taulantëve.
Gjiri i Gramës në Dhërmi
Gjiri i Gramës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në vështirësitë e motit. Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të medha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet. Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet.
Gadishulli i Karaburunit
Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty.
Ujëvara e Grunasit, Theth
Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Thethit ka si karakeristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujvarë të Evropës.
Plazhi i Ksamilit
Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.
Syri i Kaltër, Sarandë
Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos.
Kalaja e Petrelës
Kjo kala ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Sot në ambientet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.
Mrizi i Zanave, Fishtë
Për të provuar kuzhinën tradicionale shqiptare duhet të vizitoni restorantin Mrizi i Zanave, neë jug të Shkodrës. Të gjitha gatimet ofrohen me prodhime vendi. Mishi me salca të ndryshme është specialitet./arbresh.info/
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...