Rusia pranon se ka goditur me raketa Odesën

07:12 | 25 Korrik 2022
K.B

Moska pranoi që qëndronte pas një sulmi me raketa të portit të Odesës, një ditë pasi Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për rifillimin e dërgesave të drithit. Zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes tha se raketat goditën vetëm objektiva ushtarakë. Perëndimi e dënoi sulmin, ndërsa presidenti ukrainas

Volodymyr Zelenskyy tha se ky zhvillim shkatërroi mundësinë e dialogut me Rusinë.

Rusia ka pranuar se ka sulmuar me raketa portin e Odesës në Ukrainë, sulm që ndodhi një ditë pas arritjes së një marrëveshjeje për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi dhe për të lehtësuar mungesën globale ushqimore të shkaktuar nga lufta.

Por zyrtarët e ministrisë ruse të mbrojtjes thanë se kishin goditur vetëm objektiva ushtarakë.

“Raketa me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi shkatërruan në portin e qytetit të Odesës një anije luftarake ukrainase të ankoruar dhe një magazinë ku mbaheshin raketa kundër aniijeve, që i janë dhënë Kievit nga SHBA-të”, tha zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një postim në rrjetin social “Telegram”, pranoi se pas sulmin qëndronte Rusia, ndërsa më herët Moska kishte mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm se sulmi në Odesa “shkatërroi mundësinë” e dialogut me Rusinë.

Në një reagim mbi ngjarjen sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi me raketa “hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e Rusisë në marrëveshjen e arritur”.

“Rusia mban përgjegjësi për thellimin e krizës globale të ushqimit dhe duhet të ndalojë agresionin e saj dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjen për të cilën ka rënë dakord”, theksoi zoti Blinken.

Ushtria ukrainase njoftoi të shtunën se Moska kishte sulmuar portin detar të Odesës me katër raketa lundrimi, dy prej të cilave ishin rrëzuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina nënshkruan të premten në Stamboll marrëveshjen për të eksportuar drithin, produktet ushqimore dhe plehun kimik drejt tregjeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e OKB-së. Kombet e Bashkuara, Komuniteti Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Italia dënuan sulmet.

Ndërkohë luftime të ashpra vazhdojnë në disa rajone të Ukrainës. Kievi raportoi për bombardime nga forcat ruse në veri, jug dhe lindje. Komanda e forcave ajrore të Ukrainës tha se kishte rrëzuar tre raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga forcat ruse nga Deti i Zi.

Në raportin e përditshëm të zbulimit britanik theksohet se Rusia po shënon “përparim minimal” në ofensivën e saj të vazhdueshme në Donbas.

Ndërkohë sipas institutit për Studime mbi Luftën me bazë në Uashington forcat ukrainase po përgatiten për të nisur ose kanë nisur një kundërofensivë në rajonin Kherson. /voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme