Astronomët dhe shkencëtarët nga mbarë bota kanë filluar të reagojnë ndaj imazheve të reja që publikoi NASA, të marra nëpërmjet teleskopit hapësinor James Webb.
Një shkencëtar deklaroi madje se kjo është “një epokë e re në eksplorimin e hapësirës”. Fotografitë paraqesin mrekullinë e universit, që nga yjet e sapolindur dhe deri tek galaksitë më të largëta.
Paraqitja e fryteve të punës së teleskopit hapësinor që kushtoi 10 miliardë dollarë, James Webb, filloi të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Në fotografinë e parë dallohen një mori galaktikash, të gjendura në një thellësi të kozmosit ku njerëzimi nuk kishte arritur të hidhte vështrimin ndonjëherë më parë.
Michael Messina, ndihmës profesor i astronomisë në Universitetin Wisconsin-Madison që kontribuoi për projektin e teleskopit hapësinor Webb, thotë se këto janë vetëm pamjet fillestare.
“Pamjet ishin realisht shumë të shkurtra. Shpresojmë që në vazhdimësi të këtij misioni të marrim pamje më të gjata, fotografi më të thella, të zbulojmë gjëra që gjenden edhe më larg”, thotë ai.
Pjesët e universit të paraqitura në Shtëpinë e Bardhë janë parë edhe në të kaluarën nga teleskopë të tjerë. Por fuqia e teleskopit hapësinor Webb, pozicionimi i tij larg nga Toka, dhe përdorimi i spektrit të rrezeve infra të kuqe, paraqiti gjithçka nën një dritë të re, që shkencëtarët thonë se është jo vetëm shkencë, por edhe art.
Me teleskopin hapësinor Webb, shkencëtarët shpresojnë të përftojnë dritën e yjeve dhe galaksive të para, që u krijuan 13.7 miliardë vite më parë dhe vetëm 100 milionë vjet pas krijimit të universit.
Teleskopi do të shqyrtojë atmosferat e botëve të tjera për të diktuar shenja të mundshme jete. Duke përdorur rrezet infra të kuqe, teleskopi Webb vëzhgoi përbërjen kimike të një planeti gjigand të quajtur WASP-96b, që ka pothuajse përmasat e Saturnit dhe gjendet 1150 vite drite larg. Teleskopi diktoi avuj uji në atmosferën e këtij planeti tepër të nxehtë dhe madje edhe praninë e reve, aty ku më parë astronomët mendonin se ato nuk ekzistonin.
“Me teleskopin hapësinor James Webb, mund të fillojmë të përcaktojmë përbërjen e atmosferës për disa nga këta planetë të jashtëm. Tashmë mund të përcaktojmë nëse i ngjasojnë Tokës, apo Jupiterit, ose Venusit”, thotë Jason Rabinovitch, ndihmës profesor në Institutin “Stevens” të Teknologjisë.
Shkencëtarët thonë se përdorimi i rrezeve infra të kuqe i mundëson teleskopit Webb të shohë edhe përmes pluhurit kozmik, deri madje në qoshet më të largëta të universit.
“Janë vërtet, vërtet të mahnitshme. Ajo çfarë është e mrekullueshme për këto imazhe është se na tregojnë se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë teleskopi Webb”, thotë Catherine Pilachowski, profesore në Universitetin Indiana.
Disa nga imazhet më mahnitëse të teleskopit më të vjetër Hubble kanë qenë ato të Carina Nebulas, një ndër hapësirat më të ndritshme qiellore ku kanë lindur yje, e gjendur rreth 7600 vite drite larg. Kur shkencëtarët vendosën ta orientojnë teleskopin e ri hapësinor Webb në atë drejtim, ata u shpërblyen me një panoramë plot ngjyra, me flluska dhe boshllëqe aty ku po lindnin yjet.
“Këto pamje përfaqësojnë një epokë të re për eksplorimin e hapësirës. Përmasat e mëdha të teleskopit Webb, të kombinuara me ndjeshmërinë e valëve më të gjata infra të kuqe, do të thotë se do të mundet të ekzaminojë zona të universit që nuk i kemi parë kurrë më parë. Do të mundet gjithashtu të shqyrtojë sistemet më të afërta në mënyra që as nuk i kemi ëndërruar më parë”, thotë Danny Milisavljevic, ndihmës profesor në Departamentin e Fizikës dhe Astronomisë, në Universitetin Purdue.
Teleskopi hapësinor James Webb, më i madhi dhe më i fuqishmi i botës, u nis me një raketë në muajin dhjetor nga Guinea Franceze në Amerikën e Jugut.
Teleskopi mbërriti në muajin janar në vendvrojtimin e paracaktuar në hapësirë, rreth 1.6 milionë kilometra larg Tokës.
Teleskopit iu desh të kryente një proces të gjatë të shtrirjes së pasqyrave, të ftohjes së mjaftueshme të sensorëve në mënyrë që të vendoseshin në përdorim, si dhe kalibrimin e instrumentave shkencore, të gjitha këto të mbrojtura nga dielli nën një tendë me përmasat e një fushe tenisi./VOA
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...