Google ADS

​Tirana mbushet me flamuj kuqezi për betimin e presidentit të ri

17:22 | 24 Korrik 2022
A. B.

Tirana është gati për ceremoninë e betimit të Presidentit të ri, Bajram Begaj.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka postuar në rrjetet sociale fotot nga zbukurimet me flamuj kuqezi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Veliaj tha se kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët edhe pse shpesh kanë sabotuar projektet madhore të bashkisë.

“Kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët, dhe pse shpesh kanë sabotuar punët, nga këndet e lodrave e gjer tek projektet madhore, Astiri e Lana. Me shpresën e madhe që më në fund do kemi një president normal, qyteti i Tiranës është stolisur kuq e zi gati për ceremoninë”, ka shkruar Veliaj.

Pas Betimit në Kuvend në orën 19:00 do të kryhet edhe pritja zyrtare në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj.

Bajram Begaj u zgjodh nga Kuvendi më 6 qershor me 78 vota pro si Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme