Perëndimi dënon sulmet në portin e Odesës

07:22 | 24 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Ushtria ukrainase njoftoi se Rusia goditi të shtunën me raketa portin jugor të Ukrainës, atë që ndodhet në qytetin e Odesës. Ky zhvillim duket se rrezikon një marrëveshje të nënshkruar vetëm një ditë më parë për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi dhe për të lehtësuar mungesën globale ushqimore të shkaktuar nga lufta.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se sulmi tregoi se Moskës nuk mund t’i zihet besë për zbatimin e marrëveshjeve.

Megjithatë, transmetuesi publik “Suspilne”, duke cituar ushtrinë ukrainase, njoftoi se raketat nuk kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe se sipas autoriteteve qeveritare, po vazhdonin përgatitjet për rifillimin e eksportit të drithit nga portet e vendit që kanë dalje në Detin e Zi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës Oleg Nikolenko tha se nëse marrëveshja nuk përmbushet, Rusia do të mbajë përgjegjësi të plotë për krizën globale të ushqimit.

Në një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dënohej sulmi në portin e Odesës. Zëdhënësi i tij vuri në dukje se të gjitha palët e përfshira në luftime, Moska e Kievi, ishin zotuar për një marrëveshje të premten për eksportin e drithërave nga portet e Ukrainës.

“Këto produkte nevojiten me dëshpërim për të trajtuar krizën globale të ushqimit dhe për të lehtësuar vuajtjet e miliona njerëzve në nevojë në mbarë globin”, thuhej në një deklaratë të zëdhënësit të OKB-së Farhan Haq. “Zbatimi i plotë (i marrëveshjes) nga Federata Ruse, Ukraina dhe Turqia është thelbësore”.

Në një deklaratë të ministrisë ruse të Mbrojtjes të publikuar të shtunën, flitej për përparimin e trupave ruse në Ukrainë, por nuk përmendej sulmi në Odesa. Ministria nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Reuters për koment mbi këtë çështje.

Megjithatë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova ripostoi deklaratën e OKB-së mbi ngjarjen dhe u shpreh se: “Është e tmerrshme që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutteres nuk dënon edhe vrasjen e fëmijëve në Dombas nga regjimi i Kievit”.

Ambasadorja e SHBA-ve me Kiev Bridget Brink e cilësoi sulmin një mizori.

“Rusia godet qytetin port të Odesës më pak se 24 orë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për të lejuar dërgesat e eksporteve bujqësore. Kremlini vazhdon ta shndërrojë në armë lufte çështjen e ushqimit. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se:

“Goditja e një objektivi vendimtar për eksportin e grurit një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Stamboll është e dënueshme dhe tregon sërish shpërfilljen totale që Rusia i bën ligjit dhe angazhimeve ndërkombëtare”.

Ministri turk i Mbrotjes Hulusi Akar tha sipas zyrtarëve ukrainas dëmtimet nuk ishin të mëdha gjë që ai e konsideroi të rëndësishme për vazhdimin e aktiviteteve në port.

“Rusët na thanë se nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me këtë sulm dhe se po e shqyrtonin çështjen nga afër dhe në detaje. Fakti që një incident i tillë ndodhi menjëherë pas marrëveshjes që bëmë dje mbi drithin, na shqetësoi realisht”, tha ai.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar liz Truss e cilësoi sulmin një akt absolutisht të tmerrshëm që vjen vetëm një ditë pas arritjes së një marrëveshjeje mbi drithin.

“Kjo tregon se nuk mund t’i besohet asnjë fjale që thotë ai (Presidenti Putin). Ne duhet të punojmë urgjentisht me partnerët tanë ndërkombëtarë për të gjetur një mënyrë më të mirë për ta nxjerrë grurin nga Ukraina duke anashkaluar Rusinë dhe premtimet e saj të pambajtura”.

Ndërkohë Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot në mëngjes se në 48 orët e fundit janë zhvilluar luftime të ashpra në Ukrainë. Forcat ukrainase kanë vazhduar ofensivën e tyre kundër forcave ruse në rajonin Khersonit, në perëndim të lumit Dnipro.

Në deklaratën e postuar në Twitter, ministria tha se “Rusia ka të ngjarë të përpiqet të ngadalësojë ofensivën ukrainas duke përdorur sumlme me artileri”. Në deklaratë thuhej gjithashtu se linjat e furnizimit të forcave ruse në perëndim të lumit Dnipro, janë gjithnjë e më shumë të rrezikuara.

SHBA-të i kanë premtuar Ukrainës një paketë të re ndihme prej 270 milionë dollarësh, ku përfshihen edhe katër sisteme raketash me lëvizshmëri të lartë të njohura si sistemet HIMARS.

Ushtria e Ukrainës ka dislokuar tashmë të paktën tetë HIMARS në vijën e frontit, ndërsa katër të tjerë janë në pozicione të tjera.

Premtimi i fundit i SHBA-ve e çon në 16 numrin e përgjithshëm të sistemeve HIMARS që ka Kievi. Krahas kësaj, Ukraina ka dislokuar edhe gjashtë sisteme raketash me rreze të mesme e të gjatë veprimi të furnizuara nga Gjermania dhe Britania.

Të premten Ukraina dhe Rusia nënshkruan marrëveshje që i hap rrugë Kievit të eksportojë miliona tonë drithë në mbarë botën.

Ukraina, një nga furnizuesit kryesorë të këtij produkti nuk ka qenë në gjendje të eksportojë grurë për shkak të sulmit rus.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se pritet të eksportohen rreth 20 milionë tonë drithë ndërsa bëri të ditur se vendi i tij ka aktualisht një sasi drithi në vlerën e rreth 10 miliardë dollarëve./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme