Media britanike: Kina përforcon paralajmërimet ndaj SHBA-ve mbi Tajvanin

00:33 | 24 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Kina ka lëshuar paralajmërime të forta, në rrugë jozyrtare, ndaj administratës Biden në lidhje me një vizitë të mundshme në Tajvan, në muajin gusht, të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, njoftoi të shtunën “Financial Times”.

Artikulli citonte gjashtë persona në dijeni të paralajmërimeve nga ana e autoriteteve kineze, duke thënë se ato ishin dukshëm më të forta sesa kërcënimet që Pekini ka bërë në të kaluarën, sa herë që ka qenë i pakënaqur me veprimet ose politikën e Uashingtonit në raport me Tajvanit, një territor që Kina e pretendon.

Paralajmërime e bëra privatisht sugjeronin një përgjigje të mundshme ushtarake, thuhej në artikullin e “Financial Times” që citonte të njëjta burime.

Kina ka rritur aktivitetin ushtarak rreth Tajvanit duke kërkuar të ushtrojë trysni mbi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në këtë vend, për të pranuar sovranitetin kinez. Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm 23 milionë banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre dhe ndërsa dëshiron paqen, ka bërë të ditur se do të mbrohet në rast të një sulmi.

Më 18 korrik “Financial Times” raportoi se zonja Pelosi planifikon të vizitojë Tajvanin në muajin gusht.

Një ditë më vonë, ministria e Jashtme e Kinës tha se një vizitë në Tajvan nga ana e zonjës Pelosi do të minonte seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe se Shtetet e Bashkuara do të përballeshin me pasojat e përgjigjes së Pekinit.

Të mërkurën, Presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte në plan të bisedonte me Presidentin kinez Xi Jinping rreth fundit të këtij muaji.

Zoti Biden duket se hodhi dyshime rreth njoftimeve mbi udhëtimin e zonjës Pelosi në Tajvan.

“Ushtria mendon se nuk do të ishte një ide e mirë aktualisht, por nuk e di se në çfarë gjendje ndodhet ajo (vizita)”, u tha Presidenti Biden gazetarëve./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme