Google ADS

Rusia e shpall Kroacinë armike, Milanoviq: Kjo është një situatë shumë e rrezikshme

00:41 | 23 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se “Kroacia është në armiqësi me Rusinë, por jo aq aktivisht sa vendet tjera”.

Ai e bëri këtë koment pasi qeveria ruse njoftoi se Kroacia është e përfshirë në listën e vendeve armike, transmeton portal arbresh.info

“Nuk është një gjendje lufte, por ka muaj që po vazhdon. Ne jemi në armiqësi me Rusinë. Ne marrim pjesë në këtë jo aq aktivisht sa vendet e tjera që janë de facto në luftë, që të mos gënjejmë veten. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme që kërcënon të shndërrohet në diçka të pakuptueshme, për të cilën shpresoj që nuk do të ndodhë. Tani për tani, vetëm mund të shpresoj dhe nuk mund bëj asgjë tjetër”, tha ai.

Qeveria ruse ka shtuar Kroacinë në listën e saj të vendeve armiqësore kundër të cilave po ndërmerren kundërmasa, së bashku me Slloveninë, Greqinë, Danimarkën dhe Sllovakinë, raportoi më herët sot RIA Novosti.

Kroacia dhe Sllovenia nuk mund të punësojnë më staf vendas në misionet e tyre diplomatike dhe konsullore dhe Greqia ka një kufi prej 34 personash, Danimarka 20 dhe Sllovakia 16 persona.

“Lista e miratuar nga qeveria nuk është përfundimtare dhe, duke pasur parasysh vazhdimin e veprimeve armiqësore nga shtetet e huaja të drejtuara kundër misioneve ruse jashtë vendit, lista mund të zgjerohet”, tha qeveria ruse në një deklaratë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme