Tirana, e 4-ta mes kryeqyteteve më të mira në Europë për adhuruesit e ushqimit!

21:23 | 22 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Në renditjen e përgjithshme të qyteteve më të mira europiane për adhuruesit e ushqimit, Tirana vjen e katërta.

Në këtë përfundim del një studim i kryer nga uswitch.com, duke mbledhur të dhëna nga TripAdvisor, në rreth 235 mijë restorante në çdo kryeqytet europian, me fokus opsionet e ushqimit vegjetarian, kafenetë, baret, ushqimin e shpejtë, çmimin mesatar.

Athina qëndron në krye të listës, e ndjekur nga Beogradi, Sofja e Tirana. Më pas vijnë Valletta në Maltë, Lisbona në Portugali, Vilnius në Lituani, Bratisllava në Sllovaki e Zagrebi në Kroaci, ndërsa kryeqyteti rumun Bukuresht mbyll dhjetëshen më të mirë.

Si për çdo qytet, ashtu edhe për çdo restorant, mesatarja e ponderuar është llogaritur duke marrë parasysh numrin e restoranteve e të komenteve. “Rezultatet e renditjes janë më të larta nëse një qytet ka vlerësime më të larta dhe një çmim më të ulët”, – thuhet në sqarimin e faqes së internetit uswitch.com.

Ndërkohë, kryeqyteti bullgar Sofje është në krye të renditjes së kafeneve më të mira (me rezultatin 9.19/10), i ndjekur nga Bukureshti dhe Athina, kryeqyteti i Greqisë. Po ashtu, Sofja rezulton e dyta pas Shkupit në Maqedoninë e Veriut sa i përket ushqimit të shpejtë (me rezultatin 9.02/10).

Mes kryeqyteteve më të mira për brunch, klasifikimin e udhëheq Tirana, e më pas vijnë Athina, Zagrebi, Valletta, Lisbona, Sofja, Beogradi, Shkupi, Praga e Bratisllava. Shkupi, Beogradi e Bratisllava, pra kryeqytetet e Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Sllovakisë janë tre më të lirët për renditjen e ushqimeve./ Top Albania Radio

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme