Kryeministri italian Mario Draghi dha dorëheqjen të enjten, ndërsa mundësia e një paqendrueshmërisë politike në vend, mund të ketë pasoja për tërë Evropën.
Rënia e qeverisë ndodhi në një kohë të keqe për Italinë, ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës. Ashtu si shumë vende të tjera, edhe Italia po përballet me çmime të larta për çdo gjë, nga ushqimi deri te shërbimet shtëpiake si rezultat i sulmit rus në Ukrainë.
Për më tepër, ajo po vuan gjithashtu nga një thatësirë afatgjatë që po kërcënon të korrat dhe po përballet me probleme në zbatimin e programit të financuar nga BE për rimëkëmbje nga pandemia e virusit Covid-19.
Çdo destabilitet në Itali mund të përhapet në pjesën tjetër të Evropës, që gjithashtu po përballet me probleme ekonomike, dhe ta privojë BE-në nga prania e një udhëheqësi të respektuar, siç është kryeministri tani i dorëhequr italian ndërsa kërkon të mbajë një front të bashkuar kundër Rusisë.
Zoti Draghi, i cili nuk është politikan, por ish-bankier me përvojë në Bankë Qëndrore, u zgjodh kryeministër para 17 muajsh për të trajtuar rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19.
Ai kishte marrë nofkën “Super Mario” pasi kishte ndihmuar eurozonën të dalë nga kriza e borxheve kur ai ishte kreu i Bankës Qendrore Evropiane. Zoti Draghi luajti një rol të ngjashëm qetësues edhe në Itali muajt e fundit. Vetë prania e tij ndihmoi në sigurimin e tregjeve financiare për financat publike të vendit të ngarkuara me borxhe. Ai gjithashtu arriti ta mbante vendin në rrugën e duhur me reformat ekonomike që BE-ja i kushtëzoi me paketën e saj të rimëkëmbjes nga pandemia, në vlerë prej 200 miliardë euro.
Ai ishte mbështetës i vendosur i Ukrainës dhe u bë zëri kryesor në përgjigjen e Evropës ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë, një nga çështjet që kontribuan në rënien e tij pasi një nga partnerët në qeveri, partia “5-Yjet” kishin probleme me ndihmën ushtarake italiane për Ukrainën.
Por, qeveria e tij e unitetit kombëtar ra të mërkurën pasi anëtarët e koalicionit të tij që përbëhej nga politikanë të djathtë, të majtë dhe populistë kundërshtuan apelin e tij për t’u bashkuar me të për të përfunduar mandatin e plotë të legjislaturës.
Edhe problemet e brendshme luajtën rol në rënien e qeverisë së zotit Draghi. Partia “5-Yjet”, fituesi më i madh i votave në zgjedhjet e vitit 2018, për muaj të tërë ankohej se prioritetet e tyre për të ardhurat bazë dhe pagën minimale, u injoruan. Ajo që i vuri kapakun ishte vendimi për t’i dhënë kryebashkiakut të Romës kompetenca të jashtëzakonshme për të menaxhuar krizën e plehrave të kryeqytetit, ndërsa kur këto kompentenca ishin kërkuar nga zonja Virginia Raggi e partisë 5-Yjet, sa ajo ishte kryetare e Romës, kërkesa ishte hedhur poshtë.
Nicola Nobile, bashkë-drejtore te “Oxford Economics”, paralajmëroi se largimi i zotit Draghi dhe perspektiva se vendi nuk do të kishte një qeveri plotësisht funksionale për muaj të tërë, mund të përkeqësojë trazirat ekonomike në Itali, për të cilën investitorët shqetësohen se ka shumë borxhe dhe e cila tashmë po shkon drejt një ngadalësimi në gjysmën e dytë të vitit.
Sondazhet e opinionit kanë treguar se Partia Demokratike e qendrës së majtë dhe partia e krahut të djathtë, “Vëllezërit e Italisë”, e cila kishte mbetur në opozitë, janë shumë afër me përkrahje popullore.
Udhëheqësi i demokratëve, Enrico Letta tha se Parlamenti e kishte tradhtuar Italinë.
“Lërini italianët të tregojnë në votim se janë më të zgjuar se përfaqësuesit e tyre”, shkroi ai në Twitter.
Partia “Vëllezërit e Italisë” kanë qenë prej kohësh aleatë me partinë e qendrës së djathtë “Forza Italia” të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi dhe “Liga” e Matteo Salvinit, duke sugjeruar se një aleancë e qendrës së djathtë ka të ngjarë të dal fituese në zgjedhje dhe mund ta shtyjë udhëheqësen e “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni të bëhet kryeministrja e parë femër e Italisë.
Disa analistë vunë në dukje se qeveria e zotit Draghi, e cila ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Ukrainës në Evropë, u shemb kryesisht falë udhëheqësve politikë që më parë kishin lidhje me presidentin rus Vladimir Putin.
Zoti Berluskoni njëherë kishte shkuar me pushime me udhëheqësin rus, Putin dhe e ka konsideruar si mik; udhëheqësi i “Liga”, Salvini kundërshtoi sanksionet e BE-së kundër Rusisë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014; dhe më pas është kundërshtimi i udhëheqësit të partisë “5 yje”, Giuseppe Conte për ndihmën ushtarake italiane për Ukrainën.
Pasi pjesëtarët e partisë “5 Yje” bojkotuan një votim në Senat javën e kaluar duke treguar shenja të qarta se përkrahja për kryeministrin, Mario Draghi kishte marrë fund, ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio akuzoi udhëheqësin e “5 Yje”, Conte se i dha një dhuratë Putinit. /VOA
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë