Google ADS

Bullgari, blerja e avionëve të rinj luftarakë F-16 shkakton debate politike

22:18 | 21 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Në Parlamentin e Bullgarisë ka pasur debate politike për blerjen e avionëve të rinj luftarakë të tipit F-16 “Block 70” nga SHBA-ja, raporton Anadolu Agency (AA).

Dragomir Zakov, ministri i Mbrojtjes i qeverisë në dorëheqje të kryeministrit, Kirill Petkov, në Parlament shpjegoi ofertën e rishikuar të çmimit dhe parametrat e pajisjeve për blerjen e 8 avionëve të rinj F-16 nga SHBA-ja, me kërkesë të Bullgarisë.

Çështja e blerjes së 8 avionëve F-16 për plotësimin e flotës luftarake të vendit, e cila u diskutua në Parlament, u miratua në votimin e parë, por ajo shkaktoi debate politike.

Zakov tha se në propozimin e rishikuar nga SHBA-ja, është propozuar një pajisje më moderne për avionët dhe kjo është në të mirën e Bullgarisë.

Ai theksoi se me propozimin e fundit të SHBA-së pritet një miratim rutinë nga Parlamenti ndërkaq disa qarqe e kanë kthyer çështjen në çështje gjeopolitike.

“Paratë e paguara nga populli i Bullgarisë u zhdukën”

Forcat politike pro-ruse në Parlament kundërshtuan blerjen e avionëve F-16 të standardeve të NATO-s, anëtare e së cilës është edhe Bullgaria.

Deputeti i Partisë Socialiste Bullgare (BSP) e cila është partner i koalicioni qeveritar në dorëheqje dhe që zbaton traditën politike të ish-partisë komuniste, Rumen Gechev tha: “Duke bërë një ofertë të tillë aleati ynë strategjik i NATO-s (SHBA) po përpiqet të na ‘zë ngusht’. Paratë e paguara nga populli i Bullgarisë janë zhdukur, avionët që priten të vijnë nuk kanë ardhur ende”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të BSP-së, Georgi Svilenski tha: “Bullgaria ende i pret këta avionë ‘si krap”.

Lideri i partisë opozitare “Rilindja”, e cila përfaqëson politikën e presidentit rus Vladimir Putin në Parlamentin bullgar, Kostadin Kostadinov tha se SHBA-ja dikton politikën e Bullgarisë. “Ushtria jonë ishte më e fortë përpara se të hynte në aleancën e NATO-s”, tha ai.

Votimi i dytë duhet të kalojë në Parlament deri në tetor

Bullgaria në vitin 2019 ka bërë një pagesë prej 1 miliard e 256 milionë dollarë për 8 avionë.

Prodhuesi i F-16-ve, Lockheed Martin planifikonte të dorëzojë 8 avionë me parapagesë në vitin 2023 ndërsa duke shpjeguar se pandemia e COVID-19 ndërpreu prodhimin, prodhuesi më vonë shtyri datën e dorëzimit në vitin 2025.

Votimi i dytë, i cili kërkohet për të finalizuar blerjen e avionëve, deri në tetor duhet të kalojë në Parlament.

Përgjegjësi për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Bullgarisë, flota e forcave ajrore përbëhet nga rreth 15 avionë luftarakë të tipit MiG të prodhimit rus, prej të cilëve vetëm disa prej tyre mund të fluturojnë.

Ministri Zakov tha se ka marrë oferta nga SHBA-ja për 8 avionë të tjerë të tipit F-16 për të plotësuar nevojat e flotës ajrore bullgare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme