Google ADS

Berisha: Energjia prodhohet me 0.9 lekë, Rama ua shet 95 lekë

21:08 | 18 Korrik 2022
A Z

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është duke zhvilluar pasditen e së hënës një takim me fermerë të Belshit në Elbasan.

Ndër të tjera, lideri i demokratëve është ndalur edhe tek çështja e energjisë. Berisha kujtoi se energjia në vendin tonë prodhohet nga hidrocentralet në masën 99%. Dhe për rrjedhojë, “prodhohet me kosto 0.9 lekë në prodhim ndërsa qytetarëve u shitet me 95 lekë.”

Po ashtu, Berisha premtoi që kur partia e tij të vijë në pushtet, çmimi i ujit në vend do të përgjysmohet.

“Do të them vetëm një fjalë për energjinë. Energjia në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet në masën 99%. Prodhohet me kosto 0.9 lekë në prodhim. Kaq është kostoja. Ja u shet qytetarëve me 95 lekë. Ja u shet pra 95 herë mbi koston dhe kjo është absolutisht e padrejtë. E rriti çmimin nga 70 në 95, ndërsa biznesit nga 60 në 180 lekë. Pra është gjithçka se çfarë shikon. Nëse shikon interesin e qytetarit ti këtë s’duhet ta bësh kurrë. Ti nuk e prodhon nga termocentralet që të fusësh litrin e naftës. Po kështu uji, kanë shumëfishuar çmimin e ujit në një vend që ka ujë plot. Ka vende në Evropë që kanë ujë dhe ia japin falas qytetarëve. Unë nuk them falas por në mënyrë absolute çmimi i ujit do të përgjysmohet. Shkoni në burimet e Tomorit, ato mjaftojnë për të furnizuar me ujë nga Lushnja deri në Vlorë. Merr burimet e Vaut të Dejës për gjysmën tjetër të vendit. Por ky mendon si t’ia heq bashkive faturat e ujit dhe t’ia jap qeverisë që t’i grumbullojë. Gjërat janë në konceptin e bordeve komuniste. Bordet rrisin çmimet sipas dëshirës së qeverisë dhe oligarkëve të saj,” tha kreu i PD-së ndër të tjera. /abcnews.al/

Të ngjashme