Serbia ia ndalon pjesëmarrjen pingpongistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian

10:29 | 16 Korrik 2022
E.H

Serbia ia ka ndaluar pingpongistëve të Kosovës pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, i cili po mbahet në Beograd.

Këtë e bëri të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një postimi në Facebook, ku thanë se politika serbe sërish po përzihet në sport.

“Politika serbe vazhdon të përzihet në sport, dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë. Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë”, ka shkruar KOK.

Komiteti tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian.

“Dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, thuhet tutje në njoftim.

KOK-u i bëri thirrje Federatës Evropiane të Pingpongut që të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit, Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme