Google ADS

Kurti me rastin e Festës Kombëtare të Francës: Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe

22:56 | 14 Korrik 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada franceze me rastin e 14 Korrikut – Festës Kombëtare të Francës.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.

Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri, shkruan arbresh.info.

Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.

Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.

“Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, tha ai dhe shtoi se që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë”, tha Kurti.

Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen, tha kryeministri Kurti./arbresh.info/

LEXO EDHE

Ambasadorja franceze: Për Kosovën është bërë përparim i madh rreth çështjes së liberalizimit të vizave – Arbresh.info

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

Shkëlqesia juaj Madam Marie-Christine Butel, ambasadore e Francës në Republikën e Kosovës,
Mysafirë të nderuar,
Anëtarë të Kuvendit dhe të Qeverisë,
Prijës fetarë,
Zonja e zotërinj,
Kam kënaqësinë të jem sot me ju në shënimin e la Fête nationale française, kremtimin e dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze – pikërisht stuhia e Bastiljes (14 korrik 1789) dhe bashkimin e popullit francez (14 korrik 1790, Fête de la Fédération).
Merci de me recevoir! (Faleminderit që më ftuat – në rast se shqiptimi im jo i saktë ju shkakton huti).
Si një nga revolucionet binjake (tjetri amerikan) që na dhanë modernitetin politik, Revolucioni Francez shquhet për thyerjen radikale që sjellë në vetëkuptimin e botës moderne. Dikush mund të jetë pro ose kundër, por nuk mund ta injorojë këtë. Në të vërtetë, edhe pse ishin rebeluar kundër monarkisë britanike 13 vjet më parë, vetëm pas Revolucionit Francez revolucionarët amerikanë arritën të vlerësonin radikalitetin e veprës së tyre. Në simpatinë entuziaste që Revolucioni Francez ngjalli te spektatorët anembanë botës, Immanuel Kant pa shenjën e “një predispozicioni moral në racën njerëzore” – një që, sipas tij, parashikonte progresin e species sonë drejt më të mirës.
233 vjet më parë, mendimi dhe veprimi hynë në një garë të paparë më herët. Fakti dhe e drejta u vunë në kundërshtim për të mos sunduar kurrë mbi njëri-tjetrin.
Dy kohët mendore të revolucionit, i cili kishte ngjarë tashmë në mendjet e mëdha, Montesquieu dhe Rousseau, do të na jepnin në detaje mbresëlënëse aftësitë e demokracisë dhe vetitë e Republikës.
Dita e Bastiljes është njëherësh shpërthimi i deklarimit me çdo kusht për lirinë, rënia e burgut të Bastiljes, por dhe deklarim popullor, masë anonime që ngrihet për lirinë. Republika do të jetë pra një raport i përhershëm i lirisë dhe i popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet në masën e një Republike. Ja dhe një arsye e mjaftueshme e një 14 korriku të dytë, atij të Federatës të një viti më vonë.
Prandaj, zonja Ambasadore, ju përgëzoj për ditën kombëtare të rënies së Bastiljes dhe atë të Federatës së kombit francez.
Zonja dhe zotërinj,
Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë – është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez. “E drejta për të pasur të drejta” e atyre që tradicionalisht ishin të përjashtuar nga pjesëmarrja politike, mori artikulimin e parë doktrinor në kontekstin e debateve të mëdha politike të epokës revolucionare franceze. Siç e shprehu abbé Sieyès (Emmanuel Joseph Sieyès) në broshurën e tij të famshme: “Çfarë është Pasuria e Tretë? Gjithçka. Çfarë ka qenë deri tani në rendin politik? Asgjë. Çfarë dëshiron të jetë? Diçka.”
Diçka e gjeniut francez depërtoi për herë të parë në kulturën shqiptare nëpërmjet një prej shkrimtarëve dhe intelektualëve tanë më të rëndësishëm modernë, Faik Konica. Si frankofil i pafalshëm, ai u ndikua shumë nga gjuha dhe kultura franceze. Sipas studiuesit të Konicës, Luan Starova, “formimi estetik në gjuhën frënge, përvetësimi dhe asimilimi i karakteristikave të qenësishme të shpirtit galik, një ndjenjë volterike për ironi dhe sarkazëm dhe kritika si kriteri i vetëm për arritjen e së vërtetës së shpirtit kartezian”, ishin disa nga faktorët më domethënës që formësuan ndjeshmërinë e shkrimtarit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,
Ne jemi të ndërgjegjshëm se shkalla e shprehjes politike e shoqërore më e fuqishme dhe e lartë në pjesëmarrje ishte Rilindja, e shtrirë në pothuaj 80 vite e më shumë. Dhe, pjesa më e madhe e rilindasve tanë e flisnin shumë mirë frëngjishten. Ata e kishin mësuar frëngjishten e Voltareit dhe Diderosë.
Pjesa më e lartë e dijes morale dhe politike, shkencore dhe letrare franceze i bëri paraardhësit tanë politikë më të ditur, duke na i lehtësuar kohët që do të vinin. Pa ata, fatet tanë do të kishin rënë në verbëri. Pa drita, qoftë edhe me sy, jemi të verbër. Le të urojmë dhe të shpresojmë sot se lidhja me këtë pjesëmarrje të ndritur të njerëzve në demokraci e Republikë nuk ka humbur në rrugë e sipër. Në këtë kuptim ne e urojmë festën kombëtare të Republikës franceze, si një datë që na përkujton të gjithëve detyrat që kemi për përmbushjen e lirisë dhe barazisë.
Që nga koha e Konicës, edhe shumë artistë dhe studiues të tjerë shqiptarë kanë vazhduar të frymëzohen nga kultura franceze. Nga shkrimtari ynë më i njohur i gjallë Ismail Kadare te kitaristi ynë klasik me famë botërore Ehat Musa e te profesori i filozofisë i riatdhesuar së fundmi, Muhamedin Kullashi.
Gjithashtu, jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen.
Bonne Fête Nationale! Merci beaucoup!
Gëzuar Festa Kombëtare! Ju faleminderit shumë!

Të ngjashme