Avdyli apelon tek qytetarët ta marrin dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19

11:48 | 14 Korrik 2022
A Z

Deputeti i Listës GUXO, Haxhi Avdyli ka bërë të ditur se duke parë gjendjen epidemiologjike, Kosova nuk ka nevojë që të mbyllet.

Ai ka thënë për arbresh.info se Kosova tashmë ka përvojë në këtë fushë dhe masat tani nuk mund të jenë siç kanë qenë më herët.

“Normalisht, situata tani dallon prej fillimit të pandemisë. Edhe shtetet e tjera edhe Kosova ka një përvojë edhe në trajtimin e rasteve. Janë ngrit kapacitetet e trajtimit, nëpër spitale, si dhe vaksinimi si trajtim apo si imunizim. Tani edhe masat nuk duhet të jenë ashtu siç ishin në të kaluarën”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk ka nevojë për panik dhe se varësisht nga situata duhet të merren masat.

“Varësisht nga situatat se si do të ec kjo pandemi duhet të shikohen edhe masat që duhet të mirën. Mendoj se tani për tani nuk ka nevojë për panik, nuk ka nevojë për masa rigoroze të mëdha”, ka thënë Avdyli.

E nevojshme tani për tani, sipas tij është të bëhet apel për vaksinim, higjienë e distancë.

“Varësisht nga situata mund të vjen në konsiderim edhe kthimi i maskave si mbrojte, por mendimi im është që në situatën qysh jemi nuk besoj që duhet të ketë ndonjë mbyllje të ekonomisë ose diçka tjetër sepse edhe në shtetet e tjera kjo gjë nuk është duke ndodhë”, ka shtuar ai për arbresh.info.

Sipas tij, gjëja që duhet të bëhet është të rritet mundësia e vaksinimit, sidomos në disa grupe të moshuarit ose të sëmurët kronik.

“Ne duhet ti rrisim mundësit e vaksinimit edhe më shumë sepse ka një ngadalësim të vaksinimit. Duhet të shkohet disa grupe që janë më të rrezikuara si pleqtë dhe të sëmurët kronik, të bëhet rivaksinim i tyre, pse jo ata që i kanë marrë nga dy  vaksina të marrin edhe dozën e tret, ata që e kanë marr dozën e tret të marrin edhe të katërtën në mënyrë që kjo kategori e njerëzve të mbrohet”, ka theksuar Avdyli.

Aktualisht në vendin tonë janë mbi dy mijë raste aktive me COVID-19. Vetëm gjatë ditës së djeshme rezultuan 763 persona pozitiv me COVID19./Ejona Hyseni/arbresh.info/

 

Të ngjashme