Inflacioni në Kosovë arrin në 14.1 për qind – buka, vaji dhe nafta me rritjen më të madhe

09:15 | 13 Korrik 2022
Fjolla Bajraktari

Rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë nga qershori i vitit të kaluar është rritur 14.1 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave (ASK).

ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit (IHÇK) vetëm për muajin qershor 2022 është rritur 1.4 për qind,shkruan Telegrafi.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, qershor 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat ushqimore me 53.8 për qind, ndjekur nga karburantet me 39.3 për qind dhe buka me 27.7 për qind.

“IHÇK është më i lartë në një mesatare prej 1.4 për qind në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.1 për qind, mishi me 1.4 për qind, pemët me 3 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata e ëmbëlsirat me 2.2 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 2.3 për qind, pijet alkoolike me 1.5 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 60 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.8 për qind, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 15.4 për qind, shërbimet për transport me 5.9 për qind, pushime të organizuara me 4.1 për qind, shërbimet hoteliere me 2.3 për qind, kujdesi personal me 1.5 për qind si dhe disa nëngrupe tjera me një ndikim të vogël, e që të gjitha patën një ndikim të përbashkët prej 1.9 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, rënie e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët me 1.6 për qind, perimet me 10.9 për qind, energjia elektrike me 0.7 për qind (për shkak të rënies së konsumit të energjisë elektrike në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022) me një ndikim prej 0.5 për qind në IHÇK.

Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 14.1 për qind në muajin qershor 2022 krahasuar me vitin e kaluar.

“Buka dhe drithërat me 27.7 për qind, mishi me 19.6 për qind, qumështi, djathi e vezët me 22.3 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 53.8 për qind, perimet me 6.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 19 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë me 12.8 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 17.9 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 6.2 për qind, pijet alkoolike me 7 për qind, duhani me 4.8 për qind, mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit me 11 për qind, gazi me 39.3 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 33.6 për qind, mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 5.7 për qind, pajisje shtëpiake me 8.9 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 12.1 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (9,5%), produktet farmaceutike (4,0%), blerja e automjeteve (6,8%), pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (6,7%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), shërbimet për transport (18,9%), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (5,4%), shërbimet hoteliere (12,6%), kujdesi personal (6,7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 14,3 për qind në IHÇK”, vijon ASK.

Kurse, ndërsa rënie e çmimeve vërehet te pemët me 8.4 për qind, energjia elektrike me 0.9 për qind (për shkak të rënies së konsumit të energjisë elektrike në muajin qershor 2022, krahasuar me muajin qershor 2021) me një ndikim prej 0.2 për qind në indeks./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme