Google ADS

Një nëntëvjeçare në mesin 34 të vrarëve në Ukrainë

13:14 | 12 Korrik 2022
A. B.

Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa në një bllok apartamentesh në Chasiv Yar, në Ukrainën lindore, ka arritur në 34 derisa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar nxjerrjen e truprave nga rrënojat.

Sipas Kievit, ndërtesa e banimit u godit nga raketat ruse të lëshuara nga sistemet e kamionëve, të shtunën në mbrëmje, shkruan The Guardian.

Shërbimet e urgjencës ukrainase fillimisht raportuan për 10 veta të vdekur, por ndërsa ekipet e shpëtimit vazhduan të gërmonin në rrënoja, ky numër u rrit.

Viktima e fundit, një nëntëvjeçare, u raportua se u gjet rreth orës 23:30 të së hënës.

Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës, në një përditësim të ngjarjes të hënën vonë tha se numri i të vdekurve ishte 33, duke përfshirë një fëmijë. Më pas, duke cituar shërbimet e urgjencës shtetërore, të martën në mëngjes ky numër ishte rritur në 34, sipas Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit të Donetsk.

“Rusët do të mbajnë përgjegjësi për çdo jetë të shkatërruar dhe të gjymtuar”, shtoi ai.

Ai tha se ende ka njerëz që janë të bllokuar nën rrënoja. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme