Anibar sjell ‘besëtytnitë’ në edicionin e 13-të

19:21 | 11 Korrik 2022
Xhejlane Haliti

Anibar është organizatë e aktivistëve të pasionuar që inkurajon të rinjtë të shprehin idetë dhe botëkuptimin e tyre përmes animacionit dhe të diskutojnë tema të rëndësishme shoqërore që kanë të bëjnë me rininë e Kosovës.

Çdo vit, në muajin korrik qytetarë të shumtë do të vizitojnë qytetin e Pejës për të ndjekur festivalin dhe për të parë nga afër magjinë që sjellë festivali.

Përmes filmit Anibar ka ndihmuar dhe gjallëruar jetën kulturore në qytetin e Pejës dhe ka bashkuar komunitetin përmes shfaqjeve të filmave, paneleve të diskutimeve e programeve të edukimit nëpërmjet punëtorive dhe koncerteve.

Temat e ndryshme që sjellë festivali kane për qëllim të prekin realitetin në të cilin gjendet shoqëria jonë dhe të nxisin reagimet e të ngjallin ndërgjegjen shoqërore e kolektive.

Nga edicioni për të drejtat e njeriut, problematikave që sjell isolimi si vendi i vetëm në rajon pa mundësi të udhëtimit lirshëm, rivitalizimit të hapësirave publike, të ndjenjës së frikës e shpresës deri te edicioni i sivjetëm, Besëtytnitë, këto tema janë pasqyra e thirrja jonë për t’u parë, për t’u kuptuar, për t’u pranuar e dëgjuar, por mbi të gjitha për t’u bërë një me Festivalin në energjinë që të rrëmben.

Përveç rëndësisë kulturore e sociale, Festivali gjatë muajit korrik i ndihmon qytetit të Pejës edhe nga aspekti ekonomik, me ç’rast rreth 20 mijë vizitorë pritet ti sjellin të mira ekonomike qytetit të Pejës dhe bizneseve të ndryshme, si ato të gastronomisë, hotelierisë, qiradhënësve, dhe kafe-baret. Festivali në komunitet njihet poashtu për krijimin e vendeve të reja të punës, krijimin e investimeve të reja dhe stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

‘Edicioni i sivjetmë i Festivalit ka për qëllim zhvillimin e industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij. Aktivitetet kanë të bëjnë më rritjen dhe edukimin e komunitetit të animatorëve për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm. Mezi po presim t’ju kemi të gjithëve në Pejë.’ – Arba Hatashi, Drejtoreshë e Festivalit Anibar.

Besoni apo jo besëtytnitë, Anibar ju pret në qytetin e Pejës nga data 13 deri më 19 korrik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme