Google ADS

Këmbësorët e Fushë Kosovës rrezikojnë me jetë kur kalojnë rrugën, në mungesë të një zgjidhjeje nga autoritetet qendrore dhe lokale

13:04 | 10 Korrik 2022
A Z

Këto zebra, para disa ditësh janë mbyllur, duke e bërë më të vështir kalimin e rrugës për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës.

Nëpër rrugët e Fushë Kosovës, pas vendosjes se anësoreve, qytetarët po kanë vështirësi në kalimin e rrugës. Qytetarët janë shprehur të shqetësuar, ngase po duhet të ecin gjatë për të bërë kalimin e rrugës në këmbë.

“Për qytetarët prej rrethi në rreth, deri sa të vij këtu është rrugë e madhe sidomos për të moshuarit se të rinjtë. Për qytetarët është shumë keq”, ankohet një qytetar.

Një qytetar tjetër i kësaj  komune, mendon se duhet të gjendet një vend adekuat për të mos rrezikuar këmbësoret.

“Në lidhje me ato zebrat është mirë mos me i lu ose me ja gjetë vendin adekuat ku duhet me kanë edhe mos e i rreziku udhëtaret. Se ashtu kështu udhëtarët po rrezikohen, çdo ditë po ndodhin ndeshje, probleme e shkelje. Komuna është mirë me i ba ato në vendin e duhur ku ju përshtaten krejt udhëtareve”.

Zëdhënësi për media i Komunës së Fushë Kosovës Ali Topalli, thotë se me kërkesë të qytetarëve dhe të bizneseve kanë bërë dy vendkalime për këmbësorë  për te kaluar rrugën, por me vendim të inspektoratit të Ministrisë së Infrastrukturës është vendos që njëri vendkalim të mbyllet.

“Ata janë kompetent sepse ajo është rrugë nacionale M9 dhe sigurisht për këtë rrugë është kompetente ministria, jo komuna. Ne kemi ba atë që kemi pasur mundësi me e ba. E kemi ba hapjen e atyre dy vendkalimeve duke i vendosur edhe shenjat, edhe zebrat, edhe sinjalistikën, edhe krejt, vetëm e vetëm për të ju lehtësu qasjen e qytetarëve nga njëra anë, në anën tjetër, por gjithsesi jo vetëm të qytetarëve, por edhe të bizneseve”.

Topalli shton se kanë bërë ankesë disa herë në ministri për të bërë një zgjedhje për qytetarët, por ministria nuk e ka parë të arsyeshme një vendkalim të tillë.

“Ne kemi ba disa herë ankesa në ministri. Kemi kërku që të bëhet një zgjidhje për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës në këtë rast për qytetin e Fushë Kosovës, por ata nuk e kanë parë të arsyeshme një mundësi që të frekuentojnë lirshëm qytetaret nga njëra anë, në tjetrën kështu që ne e përfillim vendimin dhe s’kemi çka me ba.”

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se në rrugët nacionale nuk lejohet të ketë qasje hyrje-dalje pa leje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për arsye të sigurisë së qarkullimit.

“Pozicionet e  mbyllura nuk kishin leje nga Ministria as nuk ishin në projekt të rrugës, por gjatë sinjalizimit horizontal dhe vendosjes së rrethojës anësore, me kërkesa të qytetarëve dhe bizneseve tek operatorët ekonomik të cilët ishin duke kryer punimet kanë mbetur të hapura. Në ato pozicione  janë krijuar aksidente të shumta shkaku mos-paralajmërimit të vendkalimit për këmbësor dhe shpejtësisë së qarkullimit”, thonë në ministri.

Sipas tyre, Divizioni i Inspektimit ka bërë kërkesën e mbylljes se atyre pozicioneve pas aksidenteve të shumta në komunikacion dhe kërkesave te Policisë se Kosovës./Ejona Hyseni/arbresh.info/

Të ngjashme