Shi raketash në Ukrainë; rusët nuk ndalen, sulmojnë qytete e fshatra

10:10 | 10 Korrik 2022
K.B

Raketat ruse shkaktuan në 24 orët e fundit dëme të konsiderueshme në një seri qytetesh dhe fshatrash në lindje dhe jug të Ukrainës.

Sipas njoftimeve të autoriteteve lokale, katër civilë humbën jetën në Siversk, një qytet në rajonin e Donjeckut, ku luftimet së fundmi janë ashpërsuar.

Zyrtarët vendas raportuan edhe sulme të tjera në Kharkiv, në veri të vendit, Mikolaiv, në jug dhe Krivi Rih, një qytezë jugore në veri-lindje të Mikolaivit.

“Në vetëm një ditë Rusia sulmoi Mikolaivin, Kharkivin dhe Krivi Rihun, komunitete të rajonit Zaporizhia. Raketat goditën qëllimisht një zonë të banuar, duke shkatërruar shtëpi dhe duke marrë jetë njerëzish. Sulmet brutale ruse në Donbas nuk po ndalen qoftë edhe për një ditë, duke goditur qytetet Sloviansk, Bakhmut dhe Avdijivka.

Akte të tilla terroriste mund të ndalen vetëm me armatime moderne e të fuqishme”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Forcat ukrainase po mbrojnë me vendosmëri Mikolaivin, një qytet strategjik me lum, që ka dhe një aks të rëndësishëm drejt qytetit-port të Odesës, që është dhe vatra e eksporteve ukrainase. Megjithatë, anijet ruse vazhdojnë t’i ndalojnë ato ukrainase që të nxjerrin jashtë grurin.

Ndërkohë, zëvendës kryeministrja ukrainase Irina Vereshçuk u ka bërë thirrje banorëve që të largohen nga pjesët e pushtuara të Khersonit dhe Zaporizhias, në jug të vendit, një apel ky që paralajmëroi kundërsulme nga ana e trupave ukrainase.

Aktualisht, rusët po përpiqen të pushtojnë qytetin e Khersonit, por trupat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll disa zona. /euronews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme