Google ADS

Për gjashtë muaj, 80 përdorues të drogave u trajtuan në Klinikën e Psikiatrisë

08:18 | 10 Korrik 2022
A Z

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes, ndërsa konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët.

E, vetëm në gjashtë mujorin e këtij viti 80 përdorues të drogave kërkuan trajtim në Klinikën e Psikiatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu thotë për arbresh.info drejtori i kësaj klinike, Faton Kutllovci.

“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Psikiatrisë kanë kërkuar ndihmë dhe janë trajtuar 80 pacientë”, thotë ai.

E, sipas tij mosha kur të rinjtë fillojnë të përdorin substanca narkotike është 14-15 vjeç, ndërsa moshat më të shpeshta janë nga 18-65 vjeç.

“Moshat kur të rinjtë fillojnë të abuzojnë me substanca narkotike shumë të ri nga mosha 14-15 vjeç, por në Klinikën e Psikiatrisë ka disa rregulla ku nuk lejohen personat nën moshën 18 vjeçare të trajtohen, ndërsa moshat më të shpeshta janë nga 18 deri në 65 vjet”, thotë Kutllovci.

Eranda Berisha, nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike ‘Labirinth’ tregon se në nivel vendi janë rreth 10 mijë përdorues të rregullt të drogave.

“Në vendin tonë kemi rreth 10 mijë përdorues të rregullt të drogave”, thotë ajo.

Ajo shton se drogat më të përdorura janë kanabisi, kokaina, heroina dhe amfetaminat e ndryshëm.

“70% e përdoruesve të drogave janë meshkuj ndërsa 30% janë femra”, tha ajo.

Psikologu, Rron Kastrati, sqaron faktorët kryesor që ndikojnë tek të rinjtë për përdorim të drogave.

“Faktorë kryesor që i shtynë të rinjtë të përdorin drogat janë modeli i keq përshtatjes, një prindërim i distancuar, dhe keq trajtimi që mund të ju bëhet të rinjve në shkollë, më saktësisht bullizimi nga shoqëria, dhe nga kjo i shtyn ata të kërkojnë kënaqësi tek drogat e ndryshme”, tha ai.

Rikujtojmë se në vitin 2021 numri i përdoruesve të drogave ka qenë 96 raste, që janë trajtuar në Klinikën e Psikiatrisë./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Të ngjashme