Google ADS

Pacientët e prekur me kancer që 7 ditë pa shërbime të radioterapisë

23:24 | 6 Korrik 2022
L G

Reparti i Radioterapisë në Klinikën Onkologjike të SHSKUK-së nuk po ofron shërbime për pacientët që trajtohen me radioterapi.

E gjithë kjo për shkak të shpërthimit të ujërave të zeza në këtë repart.

Sipas Zyrës për medie të SHSKUK-së, pacientët janë njoftuar në kohë, derisa nga ekipet kompetente pritet të bëhet vlerësimi se kur mund të funksionalizohet ky repart.

Reparti i Radioterapisë në Klinikën Onkologjike të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është vërshuar nga ujërat e zeza, si shkak i reshjeve të mëdha të shiut.

“Ne nuk guxojmë as ta lëshojmë, ta dijmë se a ka bërë dëm a jo. Derisa të thahet komplet pastaj ndizet aparati dhe shihet a ka pësuar dëmtime a jo”, tha Sonja Blakaj shefe e Repartit të Radioterapisë në Klinikën Onkologjike.

Për pasojë gjithë reparti kundërmon erë të rëndë.

Tash e një javë reparti i radioterapisë në Klinikën e onkologjisë është jashtë funksionit për shkak të shpërthimit të ujërave të zeza këtu në këtë objekt. Për pasojë asnjë pacient nuk ka marrë shërbim për shtatë ditë radhazi e nuk dihet edhe sa kohë ata do të kenë mundësi të trajtohen me radioterapi.

83 pacientë ishin duke pritur të marrin shërbim në këtë repart ditën kur ndodhën vërshimet.

“Këta 83 pacientë janë në proces të rrezatimit, mbi 70 për të hyrë në këtë terapi dhe të tjerët janë në procese të tjera të trajtimit me radioterapi. Por gjithsesi janë 250 pacientë në pritje për radioterapi” ka thënë Sonja Blakaj shefe e Repartit të Radioterapisë në Klinikën Onkologjike.

Blakaj thotë se duke e ditur ndjeshmërinë e sëmundjes te pacientët e prekur me kancer dhe koston e lartë për trajtim me radioterapi jashtë vendit, i bën që të jenë në një situatë mjaft të vështirë.

“Nuk po e dimë as na çfarë ti themi pacientëve, a të presin apo të shkojnë jashtë vendit. Nuk dimë edhe nëse presin sa duhet të presin, sa duhet të presin, sepse nuk e kemi asnjë informatë saktë. Ta dimë që për 10 ditë, 15, një javë sa duhet të presim” thotë Sonja Blakaj shefe e Repartit të Radioterapisë në Klinikën./rtk

 

Të ngjashme