Google ADS

“E pa precedentë”, Donika Gërvalla mbyll konsullatën e Kosovës në New York, me vendim arbitrar e largon nga detyra konsullin Krasniqi

18:46 | 6 Korrik 2022
E.H

Konsullata e Kosovës në New York, e cila deri tash ka qenë në shërbim të shtetasve të Republikës së Kosovës, është mbyllur me vendim të Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo ka shkarkuar nga puna Konsullin Lulzim Krasniqi, i cili thotë se lajmi për shkarkim i ka shkuar përmes një e-maili të dërguar nga zv.sekretari i MPJD-së, Behar Isma.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Lulzim Krasniqi, përmes një letre drejtuar Ministres Donika Gërvalla.

Ky i fundit i është drejtuar Ministres Gërvalla duke i thënë se vendimi për mbylljen e kësaj konsullate ishte arbitrar dhe pa paralajmërim, shkruan reporteri.

Ai thotë se, me këtë vendim, Gërvalla ka mbyllur çdo vendim konsullor në shërbim të qytetarëve të Kosovës në New York, në një kohë ku kërkesat e tyre për shërbime janë rritur në masë të madhe.

“Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin.Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!”.

Letra e plotë:

E nderuar znj. Gërvalla,

Sot pranova një e-mail nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Behar Isma, përmes së cilit më është bërë e ditur se marrëdhënia ime e punës me MPJD-në ka mbaruar më 30 qershor 2022.

Faleminderit për sqarimin, edhe pse do të ishte mirë sikur këtë të ma kishit bërë të ditur ditën kur e pranova vendimin (më 30 qershor), meqë obligimet e shumta që kam këtu, nuk përmbyllen kaq thjesht, siç mendoni ju.

Vendimi juaj është i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha është kundërligjor!

Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin. Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!

Me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Republika e Kosovës do të ketë edhe implikime financiare. Unë kam lidhur kontratë njëvjeçare me menaxhmentin e ndërtesës ku jetoj me qira, në nëntor të vitit të kaluar, gjithnjë me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm, për çka Republika e Kosovës e ka për obligim ta respektojë këtë kontratë-të paguajë qiranë deri atëherë në një banesë ku nuk jeton asnjeri. Në të kundërtën, mosrespektimi i saj është i dënueshëm sipas ligjeve të SHBA-së.

Vendimi arbitrar për kthim të menjëhershëm shkel të gjitha të drejtat e një diplomati dhe e vërteton qasjen tuaj në përndjekjen e diplomatëve, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e shtetit të Kosovës.

Kam qenë diplomati i vetëm në MPJD dhe në Shërbimin Diplomatik që zotëron nivelin më të lartë të spanjishtes (C2) dhe i cili ka njohuri dhe lidhje me Amerikën Latine dhe Spanjën.

Gjatë kësaj periudhe, si diplomat i karrierës, të gjitha autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës dhe kushdo të ketë qenë President, Kryeministër ose Ministër i Jashtëm u kam ndihmuar në thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me këto vende, posaçërisht në realizimin e një sërë intervistash me gazetat më prestigjioze të Spanjës.

Vendimi juaj për heqjen time nga Shërbimi i Jashtëm bazohet në urrejtje dhe në paranoja.

Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës.

Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve.

E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD.

Në emër të këtij flamuri janë flijuar shumë dëshmorë, ndër ta edhe vëllezërit Bytyqi nga SHBA-ja, të cilët, bashkë me shumë luftëtarë të Batalionit Atlantiku, kanë lënë mirëqenien që u ofronte ky vend dhe kanë shkuar në Kosovë për ta çliruar atë nga shtypja, diskriminimi dhe gjenocidi që regjimi serb po i ushtronte ndaj nesh.

Largimi i këtij flamuri është fyerje e tre varreve të vëllezërve Bytyqi në Jonkers të Nju-Jorkjut dhe përbuzje për luftëtarët e Batalionit Atlantiku, njëjtë siç është fyerje për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët e vendit.

Unë, sigurisht jam i zëvendësueshëm me njerëz të tjerë të rinj dhe entuziastë, porse flamurin e UÇK-së nuk mund ta zëvendësojë askush.

Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë.

Personalisht, jam krenar për punën që kam bërë në SHBA, më herët edhe në Panama dhe në MPJD, dhe jam i lumtur që kam krijuar raporte të shkëlqyeshme me komunitetin tonë këtu, i cili nuk njeh urrejtje ndaj njëri-tjetrit e as ndarje partiake, por i cili ka qenë dhe është i përbashkuar, gjithnjë në interes të Kosovës.

Me respekt,

Lulzim Osman Krasniqi

Counsellor

Consulate General of the Republic of Kosovo in New York

801 Second Avenue

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme