Google ADS

Gjermania lehtëson rrugën drejt qëndrimit të përhershëm për migrantët – shumë përparësi për ata nën 27-vjeç dhe punëtorët e kualifikuar

17:20 | 6 Korrik 2022
L G

Dhjetëra mijëra emigrantë, të cilët kanë jetuar në Gjermani prej vitesh pa leje afatgjatë për të qëndruar në vend, do të kenë të drejtë për qëndrim të përhershëm pasi qeveria miratoi një projekt-ligj të ri për migracionin të mërkurën.

Sipas Associated Press, përcjell Telegrafi, rregullorja e re, e miratuar nga Kabineti, zbatohet për rreth 136,000 njerëz që kanë jetuar në Gjermani për të paktën pesë vjet deri më 1 janar 2022.

Ata që kualifikohen mund të aplikojnë fillimisht për një status qëndrimi njëvjeçar dhe më pas të aplikojnë për qëndrim të përhershëm në Gjermani.

Siç thuhet më tej, ata duhet të fitojnë para të mjaftueshme për të bërë një jetë të pavarur në vend, të flasin gjermanisht dhe të dëshmojnë se janë “të integruar mirë” në shoqëri.

Ndërkohë ata nën moshën 27 vjeç tashmë mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm në Gjermani pasi kanë jetuar në vend për tre vjet.

“Ne duam që njerëzit që janë të integruar mirë të kenë mundësi të mira në vendin tonë”, citohet të ketë thënë para gazetarëve, ministrja e Brendshme, Nancy Faeser. “Në këtë mënyrë, ne gjithashtu i japim fund burokracisë dhe pasigurisë për njerëzit që tashmë janë bërë pjesë e shoqërisë sonë”.

Siç vë në pah AP, rregullorja e re e migracionit gjithashtu do ta bëjë më të lehtë për azilkërkuesit të mësojnë gjermanisht.

Ndërkohë, një përparësi e madhe u është vënë punëtorëve të kualifikuar, si specialistë të teknologjisë së informacionit dhe të tjerë që mbajnë profesione që nevojiten shumë në Gjermani.

Për këto kategori, rregullorja e re do të lejojë që ata të mund të lëvizin menjëherë në Gjermani së bashku me familjet e tyre, gjë që nuk ishte e mundur më parë.

Madje, anëtarët e familjes nuk kanë nevojë të kenë ndonjë aftësi gjuhësore përpara se të transferohen në vend.

“Ne duhet të tërheqim punëtorë të kualifikuar më shpejt. Ne kemi nevojë urgjente për to në shumë sektorë”, ka thënë më tej Faeser. “Ne duam që punëtorët e kualifikuar të vijnë në Gjermani shumë shpejt dhe të fitojnë hapësirë këtu”.

Të ngjashme